Kryetari i Gjykatës së Apelit Durrës drejt shkarkimit

Kryetari i Gjykatës së Apelit Durrës drejt shkarkimit

Kryetari i Gjykatës së Apelit Durrës Petrit Ceno u përball me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit (KPK) ditën e djeshme.

ILDKPI dhe KPK paraqitën raporte negative për pasurinë e gjyqtarit Ceno, me pasaktësi në deklarim, fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë.

Zoti Ceno nuk kishte paraqitur dokumente për të ardhurat e bashkëshortes deri në vitin 1997, të cilat kishin shërbyer pjesërisht si burim për blerjen e një apartamenti 98 m2 + garazh, një apartamenti 79 m2 në Golem, si dhe kishte mospërputhje në deklarime për një apartament 144 m2 dhe një garazhi në Tiranë. Komisioni i vetingut ngriti dyshime edhe për përfitimin e bashkëshortes së tij të 5775 metrave tokë në Shkallnuer të Durrësit, një pjesë e së cilës iu dha më pas një kompanie ndërtimi në këmbim të 23% të sipërfaqes së ndërtuar. Lidhur me kompaninë ndërtuese LL.01, Çeno rezultoi në konflikt interesi për shkak se nuk kishte hequr dorë nga gjykimi i një çështjeje ku kjo kompani ishte palë.

Komisioni zbuloi dhe një listë pasurish të padeklaruara, të tilla si një tarracë 150 metra, ku më pas ishte ndërtuar një papafingo, përfitimin e një trualli nga ALUIZNI, paqartësinë me një kredi 80 mijë euroshe të kaluar në llogarinë e kompanisë minerare të djalit të gjyqtarit Ceno, si dhe aksionet e tij në tre kompani tregtare.

Gjyqtari Ceno kishte mungesë burimesh financiare në vlerën prej 3.4 milionë lekësh.

Gjatë seancës dëgjimore gjyqtari Ceno u përfaqësua nga avokati dhe vajza e tij. Ata u shprehën të pakënaqur me hetimin, sipas tyre, jo të thelluar të KPK-së. Vajza e gjyqtarit Ceno iu referua precedenteve të mëparshme të Komisionit në lidhje me mosdeklarimin dhe fshehjen e pasurisë.

Në lidhje me mosdeklarimin e të ardhurave, zonja Gloria Ceno solli në vëmendje rastin e Donika Prelës. Sipas saj, mungesa prej 3.4 milionë lekësh rezultonte nga përjashtimi i 6.2 milionë lekëve të të ardhurave të nënës së saj nga puna si doganiere në vitet 1993-1996. Ajo kërkoi të ardhurat e nënës së saj të merreshin të mirëqena, bazuar në precedentin e Donika Prelës, bashkëshorti i së cilës nuk kishte deklaruar të ardhurat, por sërish komisioni i vetingut e konfirmoi atë në detyrë.

Ndërkohë, sa i përket fshehjes së pasurisë, zonja Ceno solli në kujtesë të KPK-së vendimin për Kryetarin e Gjykatës së Lartë Xhezair Zaganjori, i cili kishte kryer evazion fiskal dhe nuk kishte burime të ligjshme të pasurisë, por sërish e kaloi vetingun.

Vendimi për gjyqtarin Petrit Ceno do të jepet më 27 shkurt.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>