Ministri i Financave shpalli fillimin, në datën 1 gusht, të lojës së dytë promocionale të kuponit tatimor. Qëllimi i lojës është të nxisë qytetarët të kërkojnë kuponët tatimorë për blerjet e tyre, të cilët mund t’i përdorin si “biletë” për të marrë pjesë në shortin për ndarjen e një sërë çmimesh, nga 10 mijë deri në 1 milion lekë, nga Ministria e Financave.
Nga ky vendim mund të kuptojmë tre gjëra.
1. Projekti i koncesionit të platformës elektronike për faturave elektronike fiskale nuk do të realizohet në afatshkurtër, pasi pjesë e këtij koncesioni ishte edhe loja e kuponit tatimor, të cilën tani po e zhvillon vetë Ministria e Financave.
U bënë më shumë se pesë muaj që nuk ka më asnjë informacion rreth këtij koncesioni, i cili u prezantua dhe mbrojt në publik nga vetë Kryeministri Rama. Duket se ai mund të jetë tërhequr nga projekti pas kundërshtisë së hapur dhe të ashpër të Fondit Monetar Ndërkombëtar që kërkoi transparencë dhe analizë paraprake të kostove dhe përfitimeve të këtij koncesioni.
Koncesioni u kritikua në media si aferë korruptive e kryeministrit: një projekt i konceptuar dhe shtyrë nga vëllai i tij dhe disa biznesmenë të afërt me të. Për më tepër shih këtu dhe këtu dhe këtu.
2. Kthimi tek loja e kuponit tregon se Ministria e Financave dhe administrata tatimore nuk kanë asnjë ide apo vullnet për të marrë masa të mirëfillta për të luftuar evazionin fiskal.
Loja e parë qe dështim si në mosarritjen e rezultateve të synuara, pasi volumi total tregtar i faturuar mbeti i pandryshuar, edhe në administrimin e saj që u përfshi nga disa skandale. Për këtë arsye, është e vështirë të justifikohet teknikisht kthimi tek ky projekt.
Nga ana tjetër, evazorët më të mëdhenj në vend janë bizneset e mëdha kryesisht importuese. Të dhënat fiskale tregojnë se burimi kryesor i evazionit janë nafta, cigaret dhe mallrat e akcizës, kryesisht përmes evazionit në dogana. Grupi i dytë i kompanive evazore është ai i kompanive minerare, veçanërisht ato të naftës dhe të kromit. Kështu për shembull, kompania e nxjerrjes së naftës Bankers Petrolium vazhdon të mos deklarojë fitime dhe të mos paguaj tatim fitimi edhe mbas 11 vjetësh shfrytëzimi të naftës vendase.
Ndërkohë, evazioni më i madh nga këndvështrimi i llojit të tatimit është evazioni i tatimit mbi të ardhurat personale, mbi pronën dhe sigurimet shoqërore.
3. Menaxhimi fiskal dhe i financave publike ka përfunduar në propagandë fjalëshumë, larg analizave të të dhënave dhe realitetit.
Për të shpallur lojën e dytë të kuponit tatimor, Ministri i Financave i shkruan letër të hapur punonjësve tatimore, që duket veprim qesharak duke qenë se ata janë vartës të tij dhe komunikimi me ta është detyrë e përditshme dhe direkte e tij dhe stafit të tij.
Teksti i letrës është një derdhje fjalësh në zhargon banal burokratik të cilat tregojnë jo vetëm paftësinë e atyre që e kanë shkruar, por edhe prirjen për t’u fshehur pas fjalëve të mëdha.
Jemi në gjendjen kur edhe situata ekonomike dhe fiskale në vend përshkruhet përmes hartimeve bajate. Lexoni më poshtë dy paragrafe nga letra e Ministrit Ahmetaj për vartësit e tij:
“Qasja e re, e provuar tashmë në terren e fazës së dytë antiinformalitet, me një fokus të posaçëm tek platforma e riskut dhe platforma informatike e komunikimit me sipërmarrjen për dhjetëra fenomene të ndryshme risku, ka funksionuar.
Dhe ndërkohë që kemi shpallur një fushatë shumë intensive të thjeshtësimit të procedurave, ndërkohë që vazhdojmë ndërgjegjësimin me fushatën komunikuese dhe dialogimin në terren mes tatimeve dhe tatimpaguesve për domosdoshmërinë e korrektimit të përgjegjësisë tatimore, duke filluar nga 1 gushti do të kemi edhe një verifikim në terren të situatës së kuponëve.”