Në faqen e saj në Facebook, Zyra e Kooperacionit Italian për Zhvillim ka të publikuar një fakt, mesa duket, të destinuar për të ndryshuar historinë e ekonomisë së Shqipërisë, duke e futur vendin në një rrugë të sigurtë zhvillimi.
Lajmi, i publikuar me krenari në pranverën e vitit 2015, bën të ditur se në Gjirokastër sapo kishte përfunduar një kurs i jashtëzakonshëm aftësimi profesional, prej 120 orë mësimi, nga i cili përfituan 15 të rinj të qytetit të Përmetit. Kursi kishte patur për qëllim t’u mësonte të rinjve përmetare kuzhinën shqiptare. Përfundimi i suksesshëm i kursit u festua me një ceremoni triumfale ku u shpërndanë diploma “të njohura nga Ministria e Mirëqenies Sociale e Shqipërisë”.
Kursi u realizua nga CESVI dhe VIS, dy organizata jo qeveritare italiane, në kuadrin e projektit 3-vjeçar “Bukë, Kripë e Zemër” mbështetur me një financim prej tre milionë euro nga Ministria e Jashtme e Italisë.
Po, e lexuat mirë: qeveria italiane po harxhon tre milionë euro për t’i mësuar guzhinjerëve të rinj shqiptare të vetmen gjë që e dinin vetë: si të gatuajnë ushqimet tradicionale shqiptare.
Por projekti 3-milionësh është edhe më interesant se kaq. Qëllimi i tij është:
Përmirësimi i kushteve socio-ekonomike të popullsisë në zonat e Malësisë së Madhe dhe Përmetit dhe zonat fqinje malësore përmes vlerësimit të burimeve vendase.
Ndërsa objektivi i tij është:
Të dyja zonat e përfshira në projekt të bëhen ekonomikisht konkuruese, përmes diversifikimit dhe përforcimit të aktivitetit prodhues, përmirësimit të ofertës agro-turistike, pjesmarrjes aktive të përfituesve në proçeset e zhvillimit dhe në krijimin e një rrjeti komunikimi dhe shkëmbimi ndërmjet komunitetit vendas.
Përfituesit e projektit do të jenë rreth 150 njësi prodhuese—biznese të vogla familjare, aktive në fushën e agrikulturës dhe të turizmit—në zonat turistike të krahinës së Përmetit dhe Malësisë së Madhe. Përfituesit indirektë të gjithë këtyre bizneseve, sikurse bëhet e qartë në dokumentet e projektit, do të jenë rreth 1 500 persona, ku përfshihen të gjithë familjarët dhe të afërmit e sipërmarrësve, përfshi pleq, fëmijë e krushqi.
Projekti do të japë mikrokredi për këto biznese malore në vlerë totale prej 1,9 milionë euro, nga të cilat 1 240 000 euro do të financohen nga projekti, kurse 660 000 euro të tjera do të duhet të bashkefinancohen nga vetë bizneset përfituese.
Për të siguruar që mikrokreditë të arrijnë qëllimin e tyre, projekti ka parashikuar një sërë aktivitetesh mbështetëse, si ai i mësimit se si të gatuajnë, kulturën e ushqimit biologjik, etj. Për këto aktivitete mëbshtetëse do të përdoren rreth 1,8 milionë euro, pra rreth 60 përqind e fondit total.
Kjo shumë do të përdoret për konsulentë dhe “vullnetarë” italianë, 570 mijë euro; për pajisje dhe punime, 877 mijë euro; për shpenzime të përgjithshme adminsitrative në Itali, 460 mijë euro; për udhëtime ndërkombëtare, 90 mijë euro. Rreth 150 mijë euro do të përdoren për konsulenca dhe shërbime për “përhapjen e rezultateve në Itali dhe në vend”.
Me një llogari të thjeshtë, nëse të 150-të mikrobizneset e identifikuara në këto dy zona arrijnë të marrin kredi, secili do të marrë mesatarisht pak më shumë se 8 mijë euro (të cilat duhet t’i ripaguajë). Ndërkohë, administrimi i gjithë skemës së dhënies së mikrokredive kredive do të kushtojë rreth 1,8 milionë euro, pra, mesatarisht rreth 12 mijë euro shpenzime ndihmëse e administrative për çdo kredi 8 mijë euroshe.
E shprehur më thjeshtë, për të dhënë 1 euro kredi, Koperazionit Italian i duhet të harxhojë 1,4 euro të tjera. Vefa dhe Sudja kishin “biznese” më efiçente se kaq.
Nëse nuk i keni tretur akoma byrekët mund të ngushëlloheni, pasi në të njëjtën ditë të publikimit të lajmit, Standart & Poor’s përmirësoi klasifikimin e borxhit publik shqiptar.