Ministria e Financave punon për klientët e Kryeministrit

Ministria e Financave punon për klientët e Kryeministrit

Prej disa muajsh, drejtuesit më të lartë të Ministrisë së Financave dhe një grup punonjësish civilë të ministrisë, janë përfshirë në manipulimin dhe falsifikimin e të dhënave dhe informacioneve, në prodhimin e analizave dhe argumenteve fallco, si dhe disinformimin e qëllimshëm të publikut, për interesa të një grupi privat.

Sikurse është zbuluar nga mediat, disa klientë të Kryeministrit, partnerë me vëllain e tij, po përpiqen të sigurojnë një konçesion afatgjatë për ndërtimin e një platforme elektronike për taksën mbi vlerën e shtuar (TVSH). Platforma mundëson lëshimin e faturave elektronike dhe transmetimin e tyre, në kohë reale, nga kasat dhe kompjuterat fiskale të bizneseve direkt në sistemin e tatimeve. Formula e propozuar e konçesionit, parashikon që pagesa e konçesionarit do të bëhet si përqindje e të ardhurave shtesë që do të grumbullohen nga TVSH-ja, përtej një niveli të caktuar.

Për të përfituar konçesionin, grupi i njerëzve të afërt të Kryeministrit, ka siguruar shërbimin e një kompanie kineze nga Hong Kongu, e cila do të ofrojë zgjidhjen informatike dhe instalimin e sistemit, por më pas, me gjasa, do të shërbejë vetëm si maskë për kompaninë shqiptare, që do të jetë përfituesja reale e konçesionit.

Para një viti e gjysmë, kjo kompani kineze paraqiti në Ministrinë e Financave një propozim të pakërkuar për platformën e mësipërme. Stafi i ministrisë e hodhi poshtë propozimin duke dhënë një sërë argumentash të fortë kundër projektit.

Por, para pak muajsh, Ministria e Financave, ndryshoi papritmas qëndrim dhe filloi proçedurat për realizimin e konçesionit.

Sipas ligjit, nëse një kompani private paraqit ndonjë propozim për shërbime apo investime të reja një institucioni publik, institucioni duhet të bëjë një studim bëshmërie, i cili duhet të analizojë nevojën për investimin, si dhe mënyrën më të mirë të realizimit të tij, konçesion apo prokurim i thjeshtë.

Një nga faktorët që duhet të konsiderohet në studim është faktori risk: nëse projekti paraqet risk të lartë ligji sugjeron realizimi me konçesion, i cili e kalon riskun – krejtësisht apo pjesërisht – nga publiku tek privati.

Pikërisht, kjo kërkesë ligjore është shfrytëzuar nga grupi i ekspertëve të Ministrisë së Financave për t’i hapur rrugën manipulimit në favor të interesave private.

Formula e ndjekur, në këtë rast, është e thjeshtë:

  1. Fry koston e projektit;
  1. Argumento që qeveria nuk i ka këto fonde të disponueshme;
  1. Argumento se risku që merr përsipër qeveria po ta bëjë me fondet e veta investimin, është më i madh;
  1. Prandaj është më mirë që riskun t’ja kalojë privatit;
  1. Forma më e mirë e kalimit të riskut tek privati është konçesioni.

Për ta kuptuar më mirë mekanizmin, mjafton një analogji. Nëse një biletë llotarie kushton 1 euro dhe ti mund të fitosh 1 milion euro, të gjithë vendosin ta blejnë vetë biletën, pasi edhe po nuk fituan, humbja është minimale, pra nuk ka risk humbjeje. Por nëse bileta për të njejtën llotari kushton 10 mijë euro (përsëri për të fituar 1 milion euro) shumë persona nuk do të preferonin ta blinin llotarinë, pasi risku i humbjes është i madh (më saktë risku është i njejtë, por vlera që rrezikohet të humbet është më e madhe).

Në këto kushte, shumë vetë do të preferonin të gjenin ndonjë person tjetër, të themi më të pasur, që t’ua paguante biletën, duke u premtuar atyre një pjesë të fitimit, nëse e fitojnë llotarinë.

Grupi i punës ka bërë pikërisht këtë gjë: ka fryrë kostot e projektit që ka çuar në një risk të vlerësuar shumë më të lartë se sa risku real.

Për të shkarkuar përgjegjësinë për manipulimin e kostove ekipi i Ministrisë së Financave deklaron se ka kërkuar, përmes emailit, informacione mbi çmimet nga disa ofrues shqiptarë të pajisjeve dhe programeve të nevojshme, por askush nuk ka kthyer përgjigje. Për këtë arsye, shprehen ata, nuk patur rrugë tjetër veç të përdornin kostot që kishte paraqitur kompania kineze.

Mbi këtë bazë, Ministria e Financave e ka vlerësuar koston e investimit të projektit në rreth 9,5 milionë euro, kurse atë të operimit dhe mirëmbajtjes së sistemit rreth 8,2 milionë euro në vit. Kostot reale, janë në fakt, 4-5 herë më të ulta.

Vlerësimi i kostove të pajisjeve gjithë elementëve të tjerë të përcaktuara së bashku me specifikimet përkatëse teknike në studimin e ministrisë tregon se, edhe me çmimet më të larta të mundshme në treg, investimi i projektit nuk shkon më shumë se rreth 1,5-2 milionë euro. Gjithashtu, kosto vjetore e mirëmbajtjes, nuk mund të shkojë më shumë se rreth 1-1, 5 milionë euro.

Këto vlera përputhen me kostot e sistemeve të ngjashme që ka ndërtuar qeveria, përfshi të gjitha shërbimet e-government që janë sistem shumë më të komplikuara.

Vlerësime të përafërta bënë, gjithashtu, disa ekspertë të fushës, me të cilët u konsultua ky artikull.

Në fakt, nuk është e nevojshme të jesh ekspert, për të kuptuar që shumica e kostove, në studimin e bëshmërisë së Ministrisë së Financave, janë totalisht abuzive. Më poshtë janë disa shembuj ilustrues:

  • Ministria ka parashikuar që fondi i rrogave i kompanisë që do të mirëmbajë sistemin të jetë rreth 2,4 milionë euro në vit. Nëse marrim një rrogë mestare 700-1000 euro në muaj, kjo do të thotë që Ministria e Financave ka parashikuar që në kompaninë konçesionare do të punojnë rreth 200-285 persona. Për të kuptuar sa i ekzagjeruar është ky numër, mjafton të thuhet që ky numër punonjësish është më i madh se punonjësit në total që mirëmbajnë të gjitha sistemet elektronike të qeverisë, përfshi sistemin e thesarit, të tatimeve, të doganave, të prokurimit, të QKR-së, të QKL-së, të kontrollit të kufirit, etj të gjitha sisteme më të ndërlikuara se sa ai që do ndërtohet.
  • Duke mos u mjaftuar me sa më sipër, ministria ka parashikuar një kosto shtesë mirëmëbajtjeje së sistemit, prej gati 2,5 milionë euro në vit, pa përfshirë këtu koston e liçensave të programeve kompjuterike. Mund të thuhet me siguri që 90 përqind e kësaj kosto është abuzive. Nëse heqim koston e specialistëve dhe të liçensave, kotosja që mbetet e mirëmbajtjes është kosto minimale për pjesë ndërrimi në rast difektesh, dhe disa shpenzime të tjera minimale operative.
  • Ministria e ka vlerësuar koston e blerjes së serverave dhe pajisjeve të tjera të rrjetit, së bashku me liçensat përkatëse, 6 milionë euro. Në fakt, edhe nëse ato blihen me çmimet më të shtrenjta që ekzistojnë sot në botë, me specifikime edhe me të fuqishme nga ato që ka parashikuara nga ministria, kostoja e tyre nuk e kalon 1 milion euro.
  • Ministria ka parashikuar rreth 100 mijë euro kosto reklame në muaj (1,2 milionë euro në vit), shpenzim reklame i nivelit të kompanive celulare, që janë reklamuesit më të mëdhenj në vend.
  • Ministria ka parashikuar rreth 200 mijë euro fond për blerje tabletash për inspektorët tatimorë. Me specifikimet që ka dhënë minsitria me këtë shumë mund të blihen të paktën 2 mijë tablet. Ndërkohë, gjithë administrata tatimore e vendit ka rreth 1600 punonjës, nga të cilët inspektorë janë rreth 150-200.
  • Ministria e ka parashikuar koston e interesave për kredi rreth 900 mijë euro në vit. Gjykuar nga interesat aktuale të tregut shqiptar apo europian, kjo kosto i korrespondon një huaje prej 20-30 milionë euro, ndërkohë që edhe pas fryrjeve të bëra, vetë ministria koston e projektit e ka vlerësuar në më pak se 10 milionë euro.

Kështu me rradhë pothuajse të gjitha zërat e kostove dhe vlerat e kostove të vlerësuara nga ministria janë të tej fryra me disa herë.

Ky veprim, përveç për të justifikuar konçesionin ka patur edhe një qëllim tjetër. Ministria ka përcaktuar se nëse të ardhurat e pritshme të TVSH-së nuk realizohen dhe konçesionari nuk mund të shpërblehet me përqindje të të ardhurave nga TVSH-ja, qeveria do t’i paguajë kompanisë koston e investimeve, përmes 10 kësteve vjetore, secili i barabartë me 10 përqind të vlerës së investimit. Duke rritur koston e investimit me të paktën 5 herë është garantuar që konçesionari jo vetëm të mos rrezikojë asgjë, por do të marrë mbrapsht investimin që do të bëjë.

Çfarëdo që të ndodhë, sido që të shkojë projekti, konçesionari është i garantuar që do të nxjerrë fitime të mëdha nga konçesioni.

Pikërisht interesi i koncesionarit ka qenë qëllimi kryesor i Ministrisë së Financave kur ka hartuar projektin dhe jo interesi publik.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>