Partia Demokratike kërkoi të hënën përjashtimin nga gjykimi të 7 nga 8 anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor, që refuzuan përsëritjen e zgjedhjeve në Vlorë, Berat dhe Gjirokastër.
PD argumenton se këtyre gjyqtarëve u mungon paanësia dhe do të vazhdojnë të refuzojnë 6 kërkesat e tjera të PD-së për sigurimin e provave shtesë për qarqete tjera.
Rastet e përjashtimit të gjyqtarëve nga gjykimi janë të parashikuara nga Neni 151 i Kodit Zgjedhor “Përjashtimi i gjyqtarit nga gjykimi i çështjes“, i ndryshuar me ligjin nr. 74/2012.
Në pikën 2 të këtij neni specifikohen rastet kur mund të kërkohet përjashtimi i një gjyqtari nga gjykimi.
“Përjashtimi bëhet nëse rezulton se gjyqtari ka ndonjë interes për çështjen, ka qenë më parë punëdhënës, punëmarrës, këshilltar, përfaqësues ose avokat i ndonjërës prej palëve, ka lidhje gjinie me ndonjë nga palët. shkruhet në nenin 151, pika 2.
Ligji kërkon që kërkesa për përjashtimin e një gjyqtari të jetë specifike në nenin 5, duke iu referuar përcaktimeve të bëra në të.
Pra, PD duhet të provojë se secili nga 7 gjyqtarët individualisht ka patur lidhje profesionale apo familjare me Partinë Socialiste, palë në proces.
Por, ndërkohë, Partia Demokratike ka kërkuar përjashtim të pothuajse gjithë trupës gjykuese me pretendimin për anshmëri dhe në kërkesë nuk i referohet këtij ligji, por parimeve të gjykimit të Gjykatës së Strasburgut.
“PD vlerëson se vazhdimi i ankimimeve me të njëjtën trupë zgjedhore, e cila është shprehur 3 herë me radhë kundër kërkesës së PD për transparencën e zgjedhjeve, është në shkelje të parimeve themelore të Gjykatës së Strasburgut për dhënien e drejtësisë,” thuhet në deklaratën publike të PD-së.
Nuk dihet nëse PD-ja do të paraqesë pretendime individuale për secilin gjykatës, por sipas ligjit vendimi për përjashtimin e gjykatësit merret nga kolegët në Kolegjin Zgjedhor.
Përjashtimi i trupës së gjykatësve nuk parashikohet nga ligji.