Dy prej personazheve më të anatemuar gjatë regjimit komunist, Qazim Mulleti dhe Xhevat Korça, i pari Prefekt i Tiranës dhe i dyti ministër i Arsimit në vitin 1941-1943, siç dëshmojnë dokumentet arkivore të kësaj periudhe jo vetëm nuk ishin ashtu siç regjimi i portretizoi padrejtësisht për afro gjysmë shekulli, por përkundrazi ishin patriotë e të ndjeshëm madje edhe ndaj vetë komunistëve, duke shënuar dhjetëra raste që i kanë shpëtuar prej burgjeve fashiste.
Ata ishin të qartë e të bindur mbi pasojat që sillte në vendin tonë fryma komunsite që ishte përhapur sidomos gjatë viteve të luftës në Shqipëri në masë të gjerë ndër të rinjtë adoleshentë, por ata nuk ishin dakord që ata të rinj, ende të mitur, të mbaheshin burgjeve fashiste nën kushte të rënda e të papërshtatshme për ta.
Dokumentet që sjellim sot dëshmojnë një rast shqetësues si për ministrin e Arsimit, Xhevat Korça ashtu edhe për Prefektin e Tiranës, Qazim Mulletin. Të dy i drejtohen ministrit të Brendshëm që të ndërhyjë për t’i nxjerrë nga burgu afro 30 të mitur të arrestuar pas demonstratve antifashiste në Durrës, të cilët mbaheshin në burg në kushte të rënda.
Qazim Mulleti shkruan:
“… në burgun e këtushëm janë sjellë nga Durrësi 30 e ca persona si demonstrues, ndër të cilët gjinden edhe disa djem në moshë të vogël. Mbasi nuk kemi asnjë njoftim mbi pozitën e tyne dhe se ku qëndron randsia e fajit a e pse mbahen në kte burg, lutemi të na skjarohet çeshtja pse po shofim që të vegjlit për të cilët po bajmë fjalë kanë fillue me u smurë dhe janë në gjendje të keqe. Rilutemi të na njoftohet përfundimi.”
Po ashtu në shkresën e tij edhe Xhevat Korça shkruan me shqetësim:
“Me hidhërim kemi marrë vesh se edhe studentat e mitun t’arrestuem janë dërgue në burgun e përgjithshëm. Tue marrë parasysh influencën qi ushtron ambjenti e sidomos ndër të mitun, lutem të kini mirësinë me urdhnue, në qoftë se shihet me vend edhe prej asaj P.T.Ministrije, që gjithë studentat e në mënyrë të veçantë ata në moshë të mitun, të bahen në lokale të posaçme për të ruejtun në këtë mënyrë pastërtinë e tyre morale si dhe për t’mos u dhanë rasë që t’vijnë të përpjekun me element , qi do t’i ushqejshin me idena ma helmonjëse. Mbasi ndëshkimi ka për qëllim përmirësimi, lutem edhe njiherë që kjo çashtje të shqyrtohet, mundësisht urgjentisht tue urdhnue gjithë zyrat përkatëse. Kishim me dishrue të dijmë veprimin e asaj P.T.Ministrije në lidhje me këtë çeshtje.”
Pas këtyre dy shkresave, Minsitri i Brendshëm i riprodhon tekstin e ministrit Korça, Drejtorisë së Policisë dhe i urdhëron të marrin masa dhe në përgjigjen për Ministrinë e Arsimit shkruan:
“[…] drejtoria e policisë ju ka bërë qarkore gjithë kuesturave për ti dhanë çështjes së studentave të mitun, të ndaluem ndër burgje, zgjidhjen e dëshirueme prej asaj Ministrie.”
Publikuar më parë nga Kujto.al