“Duke filluar nga data 24 qershor, të gjitha linjat e transportit ndërqytetase do të fillojnë punën.”
Kështu njoftoi Ministria e Infrastrukturës që theksoi edhe rëndësinë e zbatimit të protokolleve të sigurisë nga kompanitë e transportit publik, të cilave do t’i rimbursohet 100% e shpenzimeve për naftë nga qeveria.
Por përfaqësuesit e transportit publik në rrethe kanë dalë me qëndrime të ndryshme.
Përfaqësues të Transportit Publik në Shkodër kanë konfirmuar nisjen e udhëtimeve drejt Tiranës dhe linjave tjera në datën 22.
Ndërkohë, 50 përfaqësues të 33 linjave interurbane të Vlorës kanë dalë në protestë. Ata nuk kundërshtojnë më protokollin e vendosur nga Ministria, por kërkojnë të marrin pagesën prej 40 mijë lekësh, të dhënë nga qeveria për punonjësit e bizneseve, raporton ABC News.
Kjo nuk është hera e parë që qeveria njofton rinisjen e shërbimit të transportit publik në Shqipëri, që pritej të fillonte punën në 22 qershor.