Për brezat e rinj, Selman Stërmasi mund të sjellë në mend më tepër stadiumin sesa sportistin. Por ka qenë një kohë, më e pabesueshmja e të gjithave, kur një ndër futbollistët më të mirë të Tiranës, më pas presidenti dhe trajneri i klubit, në stadium nuk lejohej të hynte.
Lojtarë, drejtues dhe tifozë të Sportklub Tiranës ishin mbledhur në kinema “17 nëntori” edhe pse shumica ende mendonin se ishin në kinema “Nacional”.
Ishte marsi i vitit 1946. Përfaqësues të Byrosë Politike ishin ulur në presidium. Mbledhjen e drejtonte i ngarkuari për sportin, Misto Treska. Ndoshta pak e dinë që përkthyesi dhe diplomati i mëvonshëm, kishte qenë në të shkuarën futbollist i Korçës, madje kampion kombëtar me skuadrën e tij në vitin 1933, pas tre kampionatesh rresht të fituara nga SK Tirana, që kur u krijua Kampionati Kombëtar i Futbollit në Shqipëri, në vitin 1930, 10 vjet pas themelimit të Sportklub Tiranës më 1920.
Ai ngrihet dhe thotë që është menduar që Sportklub Tiranës, t’i jepej emri “17 nëntori” në nder të datës së çlirimit të qytetit nga forcat nacionalçlirimtare. Diku në sallë, ishte i ulur edhe trajneri i Tiranës, një nga themeluesit e saj, ish-futbollisti brilant, disa herë kampion me skuadrën e kryeqytetit, Selman Stërmasi.
“Shoku Misto përse t’i ndërrohet emri Tiranës? Vllaznia s’e ndërroi. Korça s’e ndërroi. Durrësi s’e ndërroi. Përse duhet ta ndryshojë Tirana”?
Ata njiheshin mirë. Në vitet ’30 kishin qenë disa herë përballë në fushën e lojës, por tashmë përballja nuk zhvillohej në kushte të barabarta. “Ulu more aty ti, atë e dimë ne!”-thirri Misto Treska nga presidiumi. Ai i tha “ulu”. Selman Stërmasi, me gjithë legjendën tjetër të futbollit tiranas, Foto Jankun, me të cilin ishte ulur pranë, ngrihen dhe braktisin mbledhjen.
Kështu e kujton ngjarjen për programin “Exclusive” të Top Channel, ish-futbollisti i Tiranës, Remzi Bulku, i ulur 3-4 radhë pas Selman Stërmasit gjatë asaj mbledhjeje ku nisi përndjekja e kampionit shqiptar të futbollit.
Ai do të përjashtohej nga çdo funksion me Sportklub Tiranën dhe do të çohej punëtor në kombinatin e durit “Misto Mame”, ku do t’i lihej pozicioni më i ulët: shtyrja e karrocave me tallash. Kur kolegët dhe nxënësit e tij të Tiranës e tregojnë këtë që e kanë jetuar dhe parë me sytë e tyre, ende nuk e besojnë që ka ngjarë.
Akoma më e vështirë është të besohet sot nga ata që Selman Stërmasin e njohin si një emblemë, emrin e të cilit mban një prej dy stadiumeve të mëdha të kryeqytetit.
Dosjet e zbuluara tashmë, tregojnë që Selman Stërmasi ishte nën survejim. Sipas tyre, ai takohej me elementë të dyshimtë.
Në “planin e masave agjenturale” për Selman Stërmasin shkruhej që ishte pjesë e një familje bejlerësh, që kishte përfituar në kohën e Zogut, që kishte toka, shtëpi, dyqane e bagëti, të gjitha këto të prekura nga reformat e mëvonshme shtetërore, se kishte bashkëpunuar me Ballin Kombëtar, se i kishte mbështetur emocionalisht dhe financiarisht, se e kishte urryer luftën nacionalçlirimtare dhe kishte propaganduar kundër saj.
Ndërsa dokumentet shtetërore mbusheshin me përshkrime për “mbështetjen emocionale” dhe “ndjenjën e urrejtjes”, regjimi linte jashtë analizës faktet: Selman Stërmasi kishte financuar Sportklub Tiranën, kishte pasur një rol kyç në titujt e saj kampion në vitet ’30-40, kishte qenë president dhe trajner i saj, ishte kampion kombëtar i kërcimit së larti në vitin 1934 dhe gjatë luftës ishte veprimtar kundër regjimit fashisht, për çfarë edhe u arrestua nga kuestura e Tiranës në vitin 1942.
Ai ishte një nga figurat më të rëndësishme të sportit shqiptar, jo vetëm brenda stadiumeve, por dhe jashtë. Shtëpia e Selman Stërmasit, gjatë viteve që drejtonte Tiranën, ishte restorant dhe hotel falas, për lojtarët, jo vetëm të Tiranës, por edhe të atyre që vinin nga rrethet.
Siç tregon bashkëshortja e tij, Nezihat, e cila vinte edhe vetë nga një derë e pasur, siç ishte familja Petrela, që më pas do i sekuestrohej pasuria, shpesh Selmani do të vinte në shtëpi dhe do t’i thoshte: “Bëhu gati, sot do vij për drekë me 10 veta” dhe ajo duhet të vraponte për te kasapi për të marrë mish dhe për të përgatitur sofrat. Ndërkohë dhomat do të ishin vazhdimisht të mbushura me shtretërit për vizitorët.
E gjithë kjo pasuri dhe këto prona, të ndara bujarisht me të tjerët dhe të vëna në dispozicion në të mirë të sportit, do të sekuestroheshin më pas nga regjimi komunist dhe do t’i mohoheshin trashëgimtarit të tyre. Por mbi të gjitha, atij do t’i mohohej edhe Tirana, mundësia për ta parë skuadrën e tij të luante në stadium. “Nuk i jepnin biletë. Mezi ia blinte ndonjë shok. Atë e prisnin te dera dhe e pyesnin: Kush ta ka dhënë? Një herë ishim bashkë. Te dera e stadiumit dy oficerë. I thonë: Kush t’i ka dhënë? Kthehu mbrapsht!”, tregon Nezihati.
Selman Stërmasi tashmë ishte thjesht një kundërshtar për regjimin. Në vitin 1949, e kishin thirrur të bashkëpunonte me Sigurimin e Shtetit, por ai nuk kishte pranuar. Këtë e vërteton dokumenti i nënshkruar më pas prej tij, me detyrim, ku zotohet që nuk do të tregojë kurrë për atë takim. Nuk kishte rezistuar njëlloj çdo koleg i tij.
Dosja e Selman Stërmasit tregon se kishin qenë ish-futbollistë të Tiranës dhe miq që, të kthyer në bashëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit, e kishin spiunuar dhe pse jeta dhe veprimtaria e tij, nuk kishte asgjë të paligjshme.
Ai u ndëshkua sepse kishte ato karakteristika që ishin provokuese në regjimin komunist: i përkiste një familjeje të pasur, kishte studiuar jashtë, kishte ndikim, ishte i papërkulur dhe e shprehte me zë të lartë kundërshtimin ndaj regjimit, por partia në pushtet nuk mund të lejonte asnjë nga këto. Ajo të merrte gjithçka dhe të jepte atë që donte. Kështu edhe Selman Stërmasit i sekuestroi pasurinë dhe i dha karrocën me tallash. Deshi t’i merrte Tiranën dhe t’i jepte “17 nëntorin”, por këtë ai nuk e pranoi.
Historia tregoi që, në fund, doli fitimtar sërish ai: Skuadra që këtë vit feston 100-vjetorin e themelimit quhet Tirana.
Publikuar më parë tek Kujto.al.