Kur shteti vepron me “kodin" e mafies — Exit komenton

Kur shteti vepron me “kodin" e mafies — Exit komenton

Në një operacion të mirë koordinuar mediatik, qeveria ka “rrjedhur” në publik lajmin se policia ka filluar verifikimet për pasurinë dhe veprimet financiare të gjyqtarit Arjan Aliaj, i cili, para disa ditësh, pezulloi nga detyra me kërkesë të prokurorisë Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Haki Çako.

Ligjërisht policia nuk mund të fillojë asnjë hetim pa miratimin dhe drejtimin e prokurorisë. Ajo thjesht mund të bëjë verifikime—të mbledhë dokumenta, të bëjë fotografi apo veprime të tjera të ngjashme—dhe pastaj këto verifikime t’ja paraqesë prokurorisë, sikurse çdo qytetar i thjeshtë. Prokuroria vendos pastaj nëse ka mjaftueshëm tregues për të hapur hetim penal.

Policia vetë nuk mund të formulojë akuza, as të verifikojë në emër të ndonjë akuze. Por në informacionin e rrjedhur në media, “rrjedhësit” nuk kanë harruar të theksojnë pohimin e pavërtetë se verfikimet po bëhen nën akuzat e “fshehjes së të ardhurave”, “mosdeklarimit të pasurisë”, “evazionit fiskal”, “pastrimit të parave” dhe “korrupsionit”.

Për të gjykuar veprimet e policisë nuk ka rëndësi nëse gjyqtari Aliaj është apo jo i korruptuar. (Në të vërtetë, nga pohime të ndryshme, përfshi edhe ato të qeveritarëve, është e arsyeshme të mendohet se ai është i korruptuar.)

Ajo që ka rëndësi është motivimi dhe mënyra si policia u mobilizua për të bërë verifikime ndaj tij dhe pse në këtë moment. Pyetja e rëndësishme është: a kanë filluar verifikimet e policisë me procedurë normale apo me urdhër arbitrar, për arsye politike apo private?

Policia në informacionin që ka rrjedhur është justifikuar me fillimin e hetimit mbi bazën e denoncimeve të qytetarëve, pretendim që është vështirë të besohet.

Sikurse është e arsyeshme të besohet se gjyqtari Aliaj është i korruptuar, është po e arsyeshme të besohet se policia i ka nisur verifikimet dhe është kujdesur ta bëjë këtë gjë publike për dy arsye të tjera:

Së pari, për hakmarrje personale të Ministrit Tahiri, Kryeministrit Rama apo vetë drejtorit Çako ndaj dikujt që ka sfiduar autoritetin e tyre dhe që është “përzjerë” atje ku nuk i takon. Deklaratat e mëparshme kërcënuese—në shkelje të çdo norme etike dhe në kapërcim të përgjegjësive institucionale—të Ministrit Tahiri dhe Kryeministrit Rama ndaj gjyqtarit Aliaj, të bëjnë të mendosh se nisja e verifikimeve nga policia është hapi tjetër i sulmit të tyre hakmarrës ndaj gjyqtarit.

Së dyti, për të kërcënuar gjyqtarët dhe prokurorët e tjerë që do të merren me këtë çështje në të ardhmen. Nesër, gjykata e Apelit do të shqyrtojë vendimin e pezullimit të drejtorit Çako. Ndërsa, nëse hetimi do të vazhdojë më tej, çështja do të gjykohet nga prokurorë e gjyqtarë të tjerë në ditët e javët e ardhshme.

Duket se ndaj tyre është lëshuar një paralajmërim i qartë: “guxoni t’i shkoni deri në fund kësaj çështje dhe ajo që ju pret janë sulmet e pafre publike dhe përndjekja nga policia dhe të gjitha strukturat e shtetit”.

Metoda përzgjedhëse e verifikimeve të policisë në këtë rast meriton të gjykohet edhe nga një këndvështrim tjetër: pse policia nisi verifikimin e pasurive të gjyqtarit Aliaj, ndërkohë që nuk ka verifikuar dhe paditur asnjëherë në prokurori me qindra raste të tjera gjyqtarësh dhe shtetarësh të tjerë, të përfshirë apo përfolur publikisht për skandale?

Për shembull, pse policia nuk filloi asnjëherë verifikimin e pasurive dhe veprimeve në biznes të Kryebashkiakut Elvis Rroshi apo të Kryebashkiakut Bushi edhe pse ata janë akuzuar haptazi për aktivitet kriminal në të shkuarën e tyre?

Për shembull, pse policia nuk filloi verifikimin e pasurive të të ashtuquajturit “Escobari i Ballkanit”, Kelmend Balili, i cili para syve të policisë, të tatimeve, drejtorisë së pastrimit të parave e të gjithë shtetit kishte ndërtuar një perandori luksoze në mes të vendit me para droge? Madje, pse policia nuk e arrestoi Kelmend Balilin edhe pse u njoftua verbalisht që Greqia kishte lëshuar urdhër arresti, por në këtë rast zgjodhi të vepronte si institucion i “shtetit të së drejtës” e të mos e arrestonte Balilin pa marrë kërkesën me shkrim e me vulë nga pala greke?

Sjellja e policisë në rastin e gjyqtarit Aliaj është sjellje që duket se përputhet më shumë me kodin mafioz se me shtetin e së drejtës.

Nëse do përdornim epitetin metaforik që përdori Kryeministri Rama për gjyqtarin Aliaj, tani është policia që po sillet si “killer profesionist” mafioz —mafia ka zakon të kryejë ekzekutime demonstrative në publik të atyre që e kanë sfiduar për t’ju treguar të gjithëve se çfarë i pret ata që mund të bëjnë të njejtën gjë.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>