Kurti kërkon që dialogu Kosovë-Serbi të bëhet pa praninë e presidentëve

Nga Exit News
Kurti kërkon që dialogu Kosovë-Serbi të bëhet pa praninë e presidentëve

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti kërkoi që dialogu Kosovë Serbi të bëhet pa praninë e presidentëve, sikurse ka ndodhur më parë.

Kërkesën e tij ai e parashtroi të hënën në diskutimin e organizuar nga Instituti  ndërkombëtar Wilson Center, me bazë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 

Në një njoftim, Kurti ka bërë publike qëndrimet e tij për dialogun në këtë diskutim.

Ai ka thënë se dialogu duhet të jetë një proces i ‘’cili bazohet në përmbajtjen e marrëveshjes, e jo në ngutinë për ta arritur atë’’. 

Kurti ka thënë se ”normalizimi i Serbisë” është parakusht për këtë dialog.

Ai u shpreh se Serbia nuk është një vend demokratik, pasi ‘’nuk pranon të ballafaqohet me të kaluarën’’.

Kreu i LVV kërkoi nga BE dhe SHBA, që janë ndërmjetësuese në dialog, që të normalizojnë së pari qëndrimin e Serbisë.

‘’Synimi përfundimtar i këtij procesi’’, tha Kurti do të duhej të ishte ‘’përmirësimi i jetës së qytetarëve dhe jo kompensimi i Serbisë për humbjet që i pësoi regjimi gjenocidal i Milosheviqit’’.

Ai vlerësoi se marrëveshja Kosovë-Serbi do të kishte një ndikim pozitiv në të gjithë rajonin.

‘’Procesi i integrimit mund të përshpejtohet me një bashkëpunim më intensiv të vendeve’’, tha Kurti.

I dërguari i BE për dialogun Kosovë – Serbi, Mirosllav Lajçak bisedoi të hënën në Francë  për dialogun Kosovë – Serbi.

Presidenti i Francës Emmanuel Macron, së bashku me kancelaren gjermane Merkel, kanë shtyrë të dy palët për të arritur një marrëveshje përfundimtare.

Në mars 2021 bëhen 10 vite që prej nisjes së dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

 Qeveria e Kosovës ka marrë pjesë në dialog për të marrë njohjen e Serbisë, përkundër deklaratave të përsëritura nga udhëheqësit e Serbisë se ata nuk do ta njohin pavarësinë.

Dialogu u ndërpre në fund të vitit 2018, pas vendosjen e taksës 100 përqind nga qeveria e Haradinajt mbi mallrat nga Serbia.

Më vonë, qeveria Kurti vendosi masa reciprociteti ndaj Serbisë, por këto të fundit u hoqën nga qeveria Hoti, për të mundësuar vazhdimin e dialogut.

Deri më tani palët kanë arritur një marrëveshje për normalizimin e raporteve ekonomike, por bisedimet shpeshherë janë ndalur dhe ende nuk ka një dakordësi përfundimtar

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>