Kërkesa e PS-së dhe LSI-së drejtuar KQZ-së për të shtyrë afatin e regjistrimit të koalicioneve parazgjedhore ka shkaktuar reagime të shumta nga opozita e nga përfaqësues të KQZ-së.
Deputeti demokrat Oerd Bylykbashi e quajti kërkesën e koalicionit qeverisës antikushtetuese. Ai u shpreh se regjistrimi si koalicion është një e drejtë, jo detyrim dhe se PS-në e LSI-në nuk i ka detyruar askush të mos regjistrohen.
Zoti Bylykbashi tha se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk e ndryshon dot Kodin Zgjedhor dhe sikur të votojnë pro të shtatë anëtarët.
Nisma LIBRA, partia e deputetit Ben Blushi, e quajti kërkesën e PS-LSI si dëshmi për varësinë politike të KQZ-së nga qeveria.
“Libra denoncon këtë tentative, e cila nuk bëhet për të përmirësuar standardet zgjedhore, por për të mbyllur llogaritë e koalicionit qeveritar, i cili po saboton zgjedhjet me marrëveshje.”
Zoti Klement Zguri, anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, po ashtu, theksoi se kërkesa e dy partive nuk është legjitime.
“Kërkesa e dy partive nuk është legjitime. Kërkuesit nuk kanë autorizim për këtë kërkesë. Përmbajtja e saj prek zgjedhjet, i prish ato.”
Zoti zguri theksoi se KQZ mund të ndryshojë afatet vetëm nëse ka një marrëveshje politike të të gjitha palëve.
Edhe ish-Ministri Manjani e ka komentuar kërkesën e dy partive duke shkruar:
“Tashmë zgjedhjet nuk drejtohen nga ligji,as Kushtetuta! Politika e konfliktit ja arriti të dalë mbi ligjin! Ligjërisht ska zgjedhje me 18!”
Kërkesa e PS-së e LSI-së u bë publike sot, që është dhe dita e fundit, sipas Kodit Zgjedhor, në të cilën koalicionet parazgjedhore mund të regjistrohen.
Afati i fundit i propozuar nga PS e LSI është data 2 maj, pasi sipas Kodit Zgjedhor deri më 29 prill çdo parti duhet të paraqesë listën e kandidatëve për çdo qark. Duke qenë se data 29 prill është ditë e shtunë, afati kërkohet të shtyhet deri në datën 2 maj.
Komisioni Qendror Zgjedhor nuk ka bërë ende asnjë deklaratë për këtë kërkesë.