Kush janë sportistët që fituan më shumë para në 10 vitet e fundit

Nga Redaksia
Kush janë sportistët që fituan më shumë para në 10 vitet e fundit

Revista Forbes ka analizuar të ardhurat e sportistëve nga viti 2010 deri në këtë fund të vitit 2019 duke përpiluar një listë me sportistët që përfituan më shumë nga aktiviteti i tyre.

Kështu në vend të parë nga kjo analizë nuk figurojnë futbollistët e shumëpërfolur si Ronaldo apo Messi, por bokstieri Floyd Mayweather.

Amerikani i pagëzur me nofkën “Money” pikërisht prej aftësive të tija për të gjeneruar para përmes eventeve në boks ka mundur të fitojë plot 915 milionë dollar këto 9 vite. Ndeshjet me Manny Pacquiao apo Conor McGregor janë takimet që mundën t’i siguronin një pasuri të jashtëzakonshme boksierit, i cili e ka mbyllur karrierën pa asnjë humbje.

Pas Mayweather vijnë futbollistët Ronaldo dhe Messi.

Portugezi ka mundur të gjenerojë rreth 800 milionë dollarë. Përveç kontratave të mirëpaguara te Reali i Madridit dhe së fundmi te Juventusi, Ronaldo ka siguruar një pasuri kolosale me kontrata reklamash si Nike, veshje apo dhe produkte të ndryshme konsumi.

Pas Ronaldos Messi është sportisti me më shumë të ardhura të gjeneruara këtë dekadë me 750 milionë. Edhe argjentinasi si portugezi ka mundur të gjenerojë shumë para përmes kontratave jashtë fushe. Ai ka qenë figure qëndrore në shumë fushata marketingu.

Klasifikimi i Forbes vijon me basketbollistin LeBron James i cili ka gjeneruar rreth 680 milionë euro në këto 10 vite. LeBron u bë sportisti i parë që lidhi një kontratë të përjetshme sponsorizimi me kompaninë Nike.

Pas viganit të NBA-it, vijnë sportistë si tenisti Roger Federer, golfisti Tiger Woods, piloti i Formulës 1 Lewis Hamilton. Nga lista vlen të veçohet fakti se mes 40 sportistëve me më shumë të ardhura është edhe tenistja Serena Williams me 215 milionë dollarë të arkëtuara.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>