Kush fshihet pas koncesionit të Portit të Durrësit?

Nga Alice Taylor
Kush fshihet pas koncesionit të Portit të Durrësit?

Porti i Durrësit iu dha me koncesion një kompanie malteze, Hili Company LTD, për një periudhë 5 vjeçare dhe me vlerë 30 milionë euro.

Kompania do të jetë përgjegjëse për kontrollin e kontejnerëve në kalatën e gjashtë të portit, e cila është pika me volumin më të madh tregtar në vend.

Hili Company LTD është në pronësi, përmes një rrjeti kompleks të kompanive të tjera, të disa individëve maltezë.

Një nga aksionerët e Hili Company është Baltimore Consulting Limited. Kjo, nga ana tjetër, është në pronësi të Richard Abdilla Castillo. Ai kishte qenë Drejtor i Hili Group por dha dorëheqjen në 2016 kur një kompani tjetër që ai drejtonte u hetua për pastrim parash. Më vonë ai mori sërish rolin drejtues, pasi hetimet u ndërprenë.

Gjatë një hetimi policor, kompania Baltimore Fiduciary rezultoi aksioneri i emëruar dhe huadhënësi i emrit për CapitalOne Investment Group, një kompani pronarët e së cilës dyshoheshin për përfshirje në trafikun e drogës në Hollandë. Pas një aksioni anti-drogë në Holandë në vitin 2012, policia malteze kërkoi informacion bankar mbi CapitalOne pasi ata besoninn se shuma të mëdha parash po kalonin tek ajo.

Hetimet u ndalën kur u bë e ditur se deputeti nacionalist Beppe Fenech Adami ishte drejtor i Baltimore Fiduciary. Një hetim qeveritar u përqendrua pak në fajësinë penale, por Baltimore u gjobit me 16,000 euro për shkeljen e Aktit të Mirëbesimit dhe të Besuarve.

Baltimore Fiduciary është gjithashtu aksioner i Motherwell Bridge Projects Limited e cila nga ana tjetër është një aksioner i kompanisë që fitoi koncesionin.

Një aksioner tjetër, Carmelo Caruana Company Limited është në pronësi të pjesshme nga Austin Gatt, një ish-deputet i Partisë Nacionaliste Malteze dhe Ministri i Energjitikës. Ai ishte përfshirë për ‘lidhje të ngushta’ në një ‘skandal nafte’ me tregtarin e naftës Geroge Farrugia.

Farrugias iu dha falje presidenciale pasi dha informacion rreth një rrjeti ryshfetesh për prokurimin e korporatës shtetërore të naftës Enemalta. Ai ishte i përfshirë në ndërmjetësime midis tregëtarëve të naftës dhe zyrtarëve të Enemalta për të siguruar tendera dhe blerje. U zbulua se ai ishte takuar me Gattin në disa raste për të diskutuar prokurimin e naftës. Farrugia kishte bërë gjithashtu një donacion për fushatën elektorale të Gatt në 2009.

Kenneth Spiteri rezulton gjithashtu si Drejtor, Përfaqësues Ligjor dhe Përfaqësues Gjyqësor i Kompanisë Carmelo Caruana. Ai dikur ishte një zyrtar i lartë në Transport Malta para se të pezullohej për akuzat që ai i dha informacione të brendshme tregtarit të sipërpërmendur të naftës George Farrugia. Dyshohet se ai i jepte Farrugias informacione të brendshëm në lidhje me tenderët dhe prokurimet. Kjo nuk u hetua nga policia.

I përfshirë është edhe Peterson Offshore Group, i cili ka një degë hollandeze dhe një degë malteze. Ato përshkruhen si kompani ndërkombëtare logjistike e energjisë dhe kanë baza në të gjithë Evropën dhe Afrikën e Veriut. John Bain, CFO i saj është i përfshirë gjithashtu në rrjetin e kompanive që zotërojnë Hili Company.

Carmelo Hili është Kryetari i Premier Capital në të cilin Castilio ishte përfshirë në kohën e skandalit të pastrimit të parave. Ai është gjithashtu një biznesmen i njohur në Maltë, që i referohen si “oligark por jo i përfolur për korrupsion” nga një burim vendas. Ai është prapa Hili Company, Hili Ventures dhe kompani të ndryshme në një numër sektorësh.

Emri i James McScporran rezulton gjithashtu në rrjetin kompleks të kompanive. Një kërkim në Google tregon se ai është drejtori i Clydeport i cili është në pronësi të Peel Ports Group, një nga operatorët më të mëdhenj të porteve në Mbretërinë e Bashkuar.

Një kompani tjetër, CMA CGM Malta Agency është gjithashtu aksionere e Hili Company. CMA CGM është një kompani ndërkombëtare kontejnerësh dhe transporti me degë në të gjithë botën. Në vitin 2010 ata u përfshinë në një skandal për tregti armësh me Korenë e Veriut. Autoritetet në Durban konfiskuan dy kontejnerë që mbanin pjesë tankesh të Koresë së Veriut të fshehura në oriz. Të destinuar për në Kongo ato udhëtuan me anijet e CMA CGM dhe ishin kërkuar posaçërisht për këtë detyrë. Ata dyshohet se po bashkëpunonin me autoritetet në lidhje me hetimin. Dyshohet se ata ishin përfshirë në veprimtari të ngjashme me Iranin. Në vitin 2006, tre individë pranuan se kishin marrë ryshfet nga menaxherët rajonalë të CMA CGM në Kajro.

Kompania shqiptare Pelikan, në pronësi të Feruz Mataj është përfaqësuesi ekskluziv i CMA CGM në Shqipëri, por Exit nuk ishte në gjendje të identifikonte përfshirjen e Pelikan përmes rrjetit të kompanive.

Të tjerë të përfshirë janë Davide Angelo Biron Camagni, Mario Victor Gatt dhe Ian Carmichael Douglas Fletcher për të cilët nga kërkimi në internet nuk rezulton asgjë përveç drejtorive së tyre në kompani të ndryshme.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>