Qeveria ka miratuar një projektligj, me qëllim formalizimin e parave dhe të pasurive tjera të shqiptarëve, pa detyrime fiskale dhe pa përgjegjësi penale.
Në draftligjin e hartuar nga Ministria e Financave, i cili pritet të miratohet në kuvend në javët në vijim, bie në sy fakti se nga kjo amnisti do të përfitojnë dhe një pjesë e mirë e ish-zyrtarëve të lartë.
Nga amnistia përjashtohen vetëm ata zyrtarë të lartë që vazhdojnë të jenë në poste si kryeministër, ministra, kryebashkiakë, drejtorë etj, dhe ata që kanë qenë në detyrë në 3 vitet e fundit që nga hyrja në fuqi e ligjit.
Ndërsa pjesa tjetër e tyre do të mund të deklarojnë pasuritë e padeklaruara pa mbajtur përgjegjësi penale dhe pa paguar detyrime fiskale ndaj shtetit.
Amnistia fiskale parashikohet të zgjasë 1 vit: të fillojë në 1 janar 2021 dhe të mbarojë në 31 dhjetor 2021.
Kush do të ndiqet penalisht nëse deklaron pasuritë:
- Të gjithë zyrtarët e lartë që mbajnë postet aktualisht (President,Kryeministër, ministër, gjyqtarë, prokurorë, drejtorët doganave, tatimeve deri të doganierët.) sëbashku me familjet e tyre
- Të gjithë zyrtarët e lartë të cilët kanë mbajtur këto poste për tre vitet e fundit, sëbashku me familjet e tyre.
- Të gjithë personat, për të cilat kanë dyshime se kanë marrë pjesë në organizata kriminale ose terroriste, kanë kryer vepra penale të trafikimit drogës, rrëmbimit të personit
- Të gjithë personat e pafajshëm me vendim , ka pushuar hetimi ose janë nën hetim në lidhje me veprat penale të vrasjes, trafikimit të narkotikëve si dhe pjesmarrjes në organizata kriminale.
Kush nuk do të ndiqet penalisht nëse deklaron pasuritë:
- Të gjithë ish zyrtarët e lartë të cilët janë larguar përpara vitit 2018
- Të gjithë personat e tjerë të cilët kanë detyrim ligjor të deklarojnë pasurinë, por që nuk bëjnë pjesë te kategoritë e mësipërme.
Kështu të gjithë ish-politikanët dhe ish zyrtarët e lartë që nuk janë më në poste publike që prej vitit 2018 mund të deklarojnë pasuritë e tyre pa pasur detyrime për të treguar se si i kanë fituar pasuritë.