Ambasadori i Bashkimit Europian, Luixhi Soreka i ka bërë thirrje KED-së që t’i dërgojë pa vonesa presidentit Meta listën me kandidatët për Gjykatën Kushtetuese.
Sipas Sorekës, bashkëpunimi i të gjitha institucioneve shqiptare ka bërë që fuksionimi i Gjykatës Kushtetuese brenda vitit të jetë i mundur.
“Sot Altin Binaj është betuar tek Presidenti Ilir Meta, si anëtari i 5-të i Gjykatës Kushtetuese. Ne e përgëzojmë dhe i urojmë punë të mbarë. Funksionaliteti i plotë i Gjykatës tani është brenda mundësive, falë përpjekjeve të kombinuara të të gjitha institucioneve shqiptare.
Tani i takon KED-së të mbyllë pa vonesë listat për Anëtarët e tjerë që do të emërohen nga Presidenti. Funksionaliteti i plotë i Gjykatës është një hap kryesor për të kompletuar listën e kushteve të nevojshme për fillimin e tryezës së parë ndërqeveritare për bisedimet e pranimit midis BE-së dhe Shqipërisë.”, shkruan Soreka në Twitter.
Altin Binaj u betua sot para Presidentit duke marrë detyrën si gjyqtar Gjykatën Kushtetuese.
Binaj u zgjodh të enjtën e kaluar me 96 vota në Kuvend. Ai ishte kandidati i vetëm në listën dërguar Kuvendit nga KED.
Exit argumentoi në një shkrim se ky veprim i KED është në shkelje të ligjit.
Po ashtu, të martën, KED i ka dërguar presidentit një listë me vetëm dy kandidatë për një vend në Kushtetuese, sërish në shkelje të ligjit.