Shumica socialiste miratoi të enjten ndryshimin e kontratës koncesionare të Portit MBM të hidrokarbureve në Porto-Romano për të lejuar përpunimin e mallrave të tjerë.
Me këtë zgjerim të aktivitetit të portit, përveç anijeve që transportojnë hidrokarbure, operatori i portit ka të drejtë të ngarkojë, shkarkojë, magazinojë dhe ankorojë në port anije që transportojnë mallra të tjera.
Zgjerimi i kontratës së koncesionit u miratua me 89 vota pro, 13 kundër, 4 abstenim.
Në qershor 2015, qeveria Rama dha një koncesion për ndërtimin dhe menaxhimin për 35 vjet të një porti për karburantet, Porti MBM në zonën e Porto Romanos.
Shoqëria koncesionare Porti MBM (Multi Buoy Mooring) është në pronësi 1% të kompanisë Salillari shpk dhe 99% të kompanisë Adriatic Bay Investment Group shpk, e cila është në pronësi të firmës Kastrati Group (65%) dhe Europetrol Group (35%).
Në prill 2020, kompania koncesionare ka kërkuar të ndryshojë kontratën dhe të mund të përpunojë e magazinojë dhe mallra të tjerë, përveç hidrokarbureve.
Argumentimi i koncesionarit për shtesën e kontratës është “mundësia për të shfrytëzuar maksimalisht kapacitetet e portit”.
Në relacionin shoqërues të projektligjit në Kuvend, shkruhet se kjo shtesë kontrate ‘do të rrisë të ardhurat që do të depozitohen nga shoqëria koncesionare në buxhetin e shtetit nëpërmjet tarifës koncesionare’.
Kërkesa e tyre u miratua nga Ministrias e Energjisë dhe Infrastrukturës, më pas nga Komisioni i Ekonomisë dhe Financave dhe sot nga Kuvendi.