I dërguari i Posaçëm i BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak la të kuptohej të premten në Samitin e Ballkanit Perëndimor në Vienë se Kosovës nuk i ishte dhënë ende liberalizimi i vizave për shkak se BE ishte e pakënaqur nga ecuria e dialogut me Serbinë.
“Kosova ende nuk ka liberalizim të vizave dhe kjo tregon që situata nuk po ecën si duhet,” citohet të ketë thënë ai nga platforma kosovare KOHA.
Për këtë arsye, ai këshilloi fillimin sa më parë të negociatave.
Duke folur për takimin mes kryeminsitrit kosovar Kurtit dhe presidentit serb Vuçiç, ai u shpreh se “do të ishte naive të themi se një takim i tillë ishte i thjesht”.
Por Lajçak shtoi se duhet të jemi optimist që palët shpalosën pretendimet dhe do të ketë një takim të dytë muajin që vjen.
Gjithashtu, sipas tij Kurti është i ri në këtë proces, por dialogu vazhdon prej vitesh dhe ka patur rezultate.
“Kurti është i ri në këtë dialog, ky është proces që ka nisur në 2011 dhe ka sjellë disa rezultate. Kurti sjellë pikëpamjet e tij. E rëndësishëm është se ka një mandat shumë të fortë politik, e ka zgjedhur një shumicë e madhe,” u shpreh Lajçak.
Ai deklaroi se nuk ka asnjë alternativë tjetër, veç normalizimit të marrëdhënieve mes vendeve.