Miroslav Lajçak, i dërguari i Posaçëm i BE-së për bisedimet Kosovë-Serbi, mund të mos marrë pjesë në takimin e 27 qershorit në Uashington, ku do të takohen delegacionet e Kosovës dhe të Serbisë.
Në një konferencë për shtyp pas vizitës në Kosovë, pyetur nëse do të jetë në takimin në Shtëpinë e Barhdë, Lajçak u shpreh:
“Deri sot, nuk e di. Por ajo që di është se Bashkimi Evropian ka punuar shumë afër me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe gjithçka që është arritur në dialog, është rezultat i një bashkëpunimi shumë të ngushtë ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Do të dëshiroja që të vazhdonim dhe shpresoj që do të kemi komunikim të ngushtë dhe të vazhdueshëm me SHBA-në.”
Takimi i 27 qershorit në Shtëpinë e Bardhë është lajmëruar nga i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Serbinë dhe Kosovën Richard Grenell, dy ditë më parë.
Duket se ftesa e SHBA-ve ka zbehur paksa rolin e Bashkimit Europian. Pavarësisht kësaj, Miroslav Lajçak tha se përparimi i Kosovës në rrugën evropian bëhet vetëm përmes BE-së dhe se BE-ja do të mbështesë Kosovën dhe Serbinë gjatë gjithë procesit të dialogut.
Lajçak shtoi se do të shkojë edhe në Beograd, për të biseduar me autoritetet serbe, në mënyrë që të fillojnë përgatitjet për procesin e dialogut dhe të organizohet së shpejt një takim dhe në Bruksel.