Në kohën kur lajmet për përhapjen e koronavirusit në Itali po shqetësojnë ndjeshëm qytetarët shqiptarë, infeksionisti i njohur Tritan Kalo ka rikujtuar se masa më e mirë parandaluese për prekjen nga viruset është rritja e higjienës personale.
Përmes një postimi në Facebook, Kalo thotë se rritja e higjienës “është masë pak e kushtueshme” por “shumë e efektshme”. Higjiena personale nënkupton ruajtjen e pastërtisë së trupit, rrobave dhe shtëpisë.
“[…] Sensibilizimi në këtë drejtim prej gjithsecilit prej nesh, ndihmon më shumë se ironizimet sarkastike, në prononcimet në Facebook, para rezikut iminent.”
Kalo thekson se duhen kuptuar dhe u duhen dhënë hapësirë mesazheve që vijnë nga specialistët e epidemiologjisë dhe sëmundjeve infektive.
“[…] të bëhemi të gjithë pjesë e përballimit të këtij risku [koronavirusit], si kundër është mundësija e hyrjes së Covid-19 në Shqipëri. Infeksioni nga virusi është një formë tjetër e manifestimit të gripit, por me rrëzikshmëri më të madhe”
Mjeku i njohur i sëmundjeve infektive e shoqëroi postimin në Facebook me disa këshilla:
- Lani shpesh dhe mirë duart me ujë dhe sapun
- Shmangni prekjen e syve, hundës dhe gojës me duar të palara
- Shmangni përqafimet dhe puthjet në përshëndetjet e zakonshme
- Mbuloni hundën dhe gojën kur tështini apo kolliteni
- Shamitë pas përdorimit hidhini në vende të caktuara
- Ajrosni shpesh shtëpinë
- Nëse ju shfaqen shenja të gripit, qëndroni në shtëpi larg shkollës
- Nëse shenjat e gripit përkeqësohen kontaktoni mjekun
Për më shumë këshilla bazike nga Organizata Boterore e Shëndetësisë mund të klikoni këtu. Ndërkohë Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u rekomandon të gjithë qytetarëve që kanë udhëtuar së fundmi në vendet e prekura, të telefonojnë, pa u drejtuar menjëherë në spital, në numrin e Urgjencës Kombëtare 127 në rast të shfaqjes së çdo shqetësimi.