Në vetëm dy muaj e gjysëm pasi Kryeministri Ramush Haradinaj dha papritur dorëheqjen, në Kosovë u shpërnda parlamenti, presidenti vendosi datën e zgjedhjeve të parakohshme, partitë formuan koalicione, ato zhvilluan fushatë të gjallë elektorale, zgjedhjet u zhvilluan pa asnjë incident, komisioni zgjedhor i nxori rezultatet brenda së njëjtës ditë, opozita fitoi zgjedhjet, humbësit pranuan rezultatet dhe uruan fituesit.
Me gjithë mosmarrëveshjet e ashpra për çështje themelore midis partive parlamentare, në vetëm dy muaj e gjysëm Kosova përjetoi një rotacion politik në mënyrë demokratike, të natyrshme, qytetare, pa zhurmë dhe pa konflikt.
Si erdhi Kosova deri te zgjedhjet e parakohshme të kësaj fundjave?
Në zgjedhjet e vitit 2017, koalicioni PAN doli i pari me 33,74 përqind të votave, ose 39 nga 120 deputetë. Ai përbëhej nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Aleanca për Ardhmërinë Kosovës (AAK) dhe NISMA. Pas tre muajsh përpjekje për të arritur 61 deputetë për të formuar qeverinë, kjo u arrit vetëm pasi partia Aleanca Kosova e Re (AKR) e Behgjet Pacollit braktisi koalicionin me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) dhe bashkë me dy deputetë të LDK-së iu bashkua koalicionit PAN. Ky tashmë u bë koalicioni qeverisës PANA, me kryeministër Ramush Haradinajn, kryetarin e AAK-së.
Presidenti Hashim Thaçi, ish-kryetar i PDK-së, drejtonte delegacionin e shtetit të Kosovës në dialogun me Serbinë, i cili vazhdon të mbetet tema më e rëndësishme për politikën e vendit.
Ndërkohë që palët dialogonin për të normalizuar marrëdhëniet mes dy vendeve, Serbia lobonte te shtetet për të penguar anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe për të tërhequr njohjen e Kosovës.
Në gusht 2018, presidentët Vuçiç dhe Thaçi konfirmuan se po bisedonin për shkëmbime territoresh.
Në nëntor 2018, Kosova nuk arriti të merrte dy të tretat e votave të vendeve anëtarëve për t’u anëtarësohej në INTERPOL si rezultat i lobimit të Serbisë. Më herët, një fushatë e ngjashme e Serbisë kishte bllokuar anëtarësimin e Kosovës edhe në UNESCO (me 92 nga 95 votat e nevojshme)
Pas votës në INTERPOL, kryeministri Haradinaj reagoi duke vendosur një tarifë në vlerën 100 përqind për mallrat serbe që hyjnë në Kosovë. Dialogu u konsiderua gjerësisht si i ngecur.
Dy partitë më të mëdha të opozitës, LVV dhe LDK e mbështetën tarifën pas vendosjes. Anëtarja e koalicionit qeverisës, PDK e kundërshtoi tarifën. BE-ja dhe SHBA-të kërkuan heqjen e taksës, por Haradinaj refuzoi, për sa kohë Serbia nuk ndalte polikën anti-Kosovë.
Plani për shkëmbimin e territoreve dhe tarifa ndaj mallrave serbe duket se i përkeqësoi marrëdhëniet mes AAK-së së Haradinajt dhe PDK-së së Thaçit, të cilat ishin në koalicion qeverisës që nga viti 2017.
Në 19 korrik, 2019, Haradinaj dha dorëheqjen si kryeministër, pasi Gjykata Speciale në Hagë e thirri për ta marrë në pyetje në lidhje me dyshime për krime lufte.
Haradinaj i kërkoi presidentit të konsultohej me partitë dhe të vendoste datën për zgjedhjet e parakohshme.
Media raportoi se partia më e madhe e koalicionit PANA, PDK-ja bëri përpjekje për të arritur numrat në parlament për të votuar një qeveri të re, pa shkuar në zgjedhje, por nuk ia arriti.
Rreth dy javë pas dorëheqjes, Kryesia e Kuvendit vendos të thërrasë një seancë më 22 gusht, ku deputetët të votojnë për shpërndarjen e parlamentit. Kështu ndodhi.
Presidenti e dekretoi shpërndarjen e parlamentit dhe më datë 26 gusht shpalli 6 tetorin si datën e zgjedhjeve të parakohshme.
Partitë kishin vetëm katër ditë për të regjistruar në KQZ koalicionet parazgjedhore. Me gjithë përpjekjet e shumta, asnjë nga tri partitë më të mëdha – LVV, PDK, LDK – nuk arritën të formonin koalicion. Disa parti më të vogla formuan katër koalicione, dy më të mëdhenjtë ishin: AAK-PSD dhe NISMA-AKR-PD.
20 parti, 4 koalicione dhe 1 subjekt i pavarur u regjistruan në KQZ dhe paraqitën listat e deputetetëve një muaj përpara ditës së zgjedhjeve.
Më 25 shtator nisi fushata zgjedhore, e cila zgjati 10 ditë, deri më 4 tetor. Partitë më të mëdha zhvilluan një fushatë me takime e mbulim në të gjithë Kosovën. Fushata ishte e gjallë dhe pa incidente.
Sistemi zgjedhor në Kosovë është proporcional kombëtar me lista ta hapura. Në fletën e votimit, votuesi zgjedh një parti dhe pesë nga kandidatët në listën e saj për deputetë.
20 nga 120 vendet në parlament janë të rezervuara për pakicat etnike, ndërsa 100 vendet mbushen sipas përqindjeve të partive në zgjedhje. Pragu për partitë dhe të pavarurit për të hyrë në parlament është 5 përqind.
Zgjedhjet në datën 6 tetor u zhvilluan pa asnjë incident. Ato nisën në orën 7 të mëngjësit dhe përfunduan në 7 të mbrëmjes.
Kur fituesit u bënë të qartë përmes rezultateve paraprake të KQZ-së, kryetari i partisë më të madhe në pushtet deri atëherë, Kadri Veseli i PDK-së pranoi humbjen përpara gazetarëve.
Duke qenë se diferenca në vota mes LVV dhe LDK ishte shumë e vogël, LDK deklaroi se do të priste rezultatin përfundimtar të KQZ-së.
Vetëm pas botimit të rezultateve paraprake të afro 95 përqind të votave të numëruara dhe kur ishte bërë e qartë se LVV kishte dalë partia e parë, kryetari i saj Albin Kurti shpalli fitoren pas mesnate, mes anëtarëve të partisë në Sheshin Skënderbeu në Prishtinë.
Rezultati i zgjedhjeve nga numërimi i 100 përqind të votave është: LVV – 25,48%, LDK – 24,82%, PDK – 21,24%, Koalicioni AAK-PSD – 11,57% dhe Srpska Lista – 6,61%.
Asnjëra nga partitë nuk e vuri në dyshim besueshmërinë e KQZ-së, përfshi edhe LDK-në, diferenca në vota me LVV-në e së cilës ishte vetëm 0,7% ose rreth 5 mijë vota nga mbi 820 mijë vota të vlefshme.
Partitë tani kanë nisur bisedimet për formimin e qeverisë së re të Kosovës.