Leksioni që po japin studentët

Nga Olsi Pajo
Leksioni që po japin studentët

Refuzoj të jem e ardhmja,
Që nga sot do jem e tashmja!
Studentët, Dhjetor 2018

Me anë të protestës së këtij dhjetori, studentët po japin një nga leksionet më të rëndësishm për demokracinë në Shqipëri. Ata po manifestojnë një akt të admirueshëm kthjellësie në mjegullinë dhe pështjellimin që ka shkaktuar tranzicioni i stërzgjatur në Shqipëri. Me anë të kësaj rezistence, ata po i japin kuptim dhe dimensione të reja lirisë dhe dinjitetit në shoqërinë tonë dhe po ndjellin një frymë shprese të munguar prej kohësh. Ata po evokojnë ëndrrën për Shqipërinë Europiane duke na zgjuar për një çast nga makthi shumëvjeçar i rinisë që sheh si mundësi të vetme emigrimin dhe punësimin partiak.

Protestoj për të drejtat, përtej interesave të mia

Qysh në ditët e para, studentët fituan një nga sfidat më të rëndësishme të së protestuarit, të shkuarit përtej interesave vetjakë. Ata i rezistuan argumenteve dritëshkurtër dhe djallëzorë si ai i Ministres së Arsimit në konferencën për shtyp në ditën e parë të protestës se “VKM-ja nuk prek brezin tuaj, por hyn në fuqi për brezat që do vijnë”. Shpeshherë në intervistat për median studentët nga Tirana e kanë theksuar se kushtet e konvikteve janë mizerabël edhe pse nuk preken drejtpërdrejt nga to.

Protestoj për ta përçarë fantazmën e përçarjes

Akti i parë i protestës u shoqërua edhe me tyrlilloj teorish konspiracioni, mendësie sigurimsash komunizmi e gjithëçfarë fantazie mbi organizatorët e fshehur të protestës, interesat e heshtura apo qëllimet e pathëna të saj. Të gjitha këto shkaktuan një lloj frike përçarjeje e cila u mposht të martën, ditën e tetë të protestës, me një nga daljet më masive dhe më paqësore të dekadave të fundit. Ç’arsye u duhet më shumë dritëshkurtërve? A thua se tarifat nuk janë të larta? A thua se Ministria bën transparence me buxhetin? A thua se studentët përfaqësohen siç duhet në universitete?

Protestoj me këmbëngulje

Vullneti për të mos i negociuar kërkesat e protestës është ndoshta burimi kryesor i energjisë së saj. Gjashtë prej tetë pikave të kërkesës nuk kërkojnë aspak investime të rëndësishme financiare, por vetëm vullnet politik nga qeveria dhe universitetet. Kjo, si për t’i zbythur të gjitha ato përqasjet mjerane dhe dreqo-konformiste se “këtu nuk jemi në Gjermani”.

Për t’u vazhduar…

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>