Dje, në media u publikua gjerësisht një letër drejtuar Ministrisë së Energjisë nga studio ligjore Clifford Chance, e cila hidhte poshtë pretendimin që ajo kishte ndonjë fakt apo që të kishte aluduar në ndonjë mënyrë për përfshirjen e Kryeparlamentarit Ilir Meta në marrëdhënie korruptive me kompaninë DIA.
Mediat e përcollën deklaratën e Clifford Chance me të njejtën qasje që përcillen vendimet e gjykatave: si një konkluzion legjitim mbas një shqyrtimi apo hetimi të drejtësisë. Prandaj, për pothuajse të gjitha mediat deklarata e Clifford Chance ishte prova objektive, e paanshme dhe përfundimtare që Zoti Meta është përtej çdo dyshimi.
Askush nuk u kujtua apo nuk deshi të përmendë faktin e thjeshtë që Clifford Chance është një firmë ligjore që i shërben klientëve për mbrojtjen e interesave të tyre përkundrejt pagesës.
Në rastin konkret, Clifford Chance ka klient qeverinë dhe paguhet nga qeveria për të mbrojtur interesat e qeverisë. Kjo do të thotë që Clifford Chance nuk mund të veprojë dhe nuk vepron në mënyrë të pavarur – hesht kur ja kërkon qeveria dhe flet kur ja kërkon qeveria.
Clifford Chance nuk do ja kishte çuar kurrë letrën Ministrit Gjiknuri, sikur kjo të mos i ishte kërkuar nga vetë Ministri apo një pëfaqësues tjetër i qeverisë. Ajo letër është formuluar, dërguar dhe bërë publike enkas me porosi të qeverisë. Dhe qeveria është qeveria Rama-Meta dhe jo thjesht qeveria Rama.
Në një aspekt tjetër, dërgimi i letrës mund të jetë shkelje e etikës profesionale dhe ndoshta në kufijtë e shkeljes së kodit të avokatit nga ana e Clifford Chance, pasi ajo mund të jetë kapërxim i funksionit juridik kontraktual të kompanisë dhe përfshirje e saj në çështje politike. Mënyra tinzare e futjes së deklaratës me sfond politik në lidhje me Zotin Meta në një letër, gjoja, rutinë për të falenderuar bashkëpunëtorët lokalë, meriton të hetohet për shkelje të etikës dhe standarteve profesionale.
Për të ilustruar marrëdhënien midis firmës dhe qeverisë mjafton të përmendet se mbasi është dërguar letra për Ministrin Gjiknuri, financierët e Clifford Chance ,me shumë gjasa, kanë prerë edhe faturën përkatëse për qeverinë, ku faturojnë koston e punës së tyre për hartimin dhe dërgimin e letrës. Nisur nga tarifat mesatare europiane, mund të hamendësohet se ajo letër u ka kushtuar taksapaguesve shqiptarë 500-1000 euro.
Por vlera e saj nuk ka të paguar për Ilir Metën dhe qetësinë e rigjetur, një ditë para 5 vjetorit të vrasjeve të 21 janarit, midis Zotit Rama dhe Zotit Meta.