Lëvizja për Strehim: Bashkia aplikon kritere joligjore për përfitimin e strehimit

Nga Rezarta Caushaj
Lëvizja për Strehim: Bashkia aplikon kritere joligjore për përfitimin e strehimit

Një raport ligjor, i vënë në dispozicion të Exit nga Lëvizja për Strehim, ka zbuluar se Bashkia Tiranë aplikon kritere jashtëligjore për përfitimin e të drejtës për strehim.

Siç edhe e trajtuam në një artikull të mëparshëm, një nga dokumentet që u kërkohet aplikantëve të pastrehë ishte kontrata e qerasë, e noterizuar.

Përtej vështirësive për të siguruar një kontratë të tillë, pa patur ende sigurinë se kërkesa do të miratohet, rezulton se të dy kriteret nuk parashikohen fare nga ligji.

Në raportin e prodhuar nga Klinika Ligjore e Universitetit të Shkodrës, juristët shpjegojnë se, për qera deri në një vit – siç kërkohet për aplikimin për Bonusin e Qerasë – nuk është fare e nevojshme as kontrata e shkruar.

Kodi Civil, për këtë perjudhë kohore, parashikon se është e mjaftueshme që aplikanti të deklarojë se disponon një marrëveshje qeraje, edhe gojore. Dorëzimi i kontratës së qerasë është fakultative.

Vetëm në rastet e qerave që shkojnë mbi një vit, ligji parashikon lidhjen e një kontrate të thjeshtë qeraje.

Paradoksalisht, edhe në faqjen zyrtare të Bashkisë Tiranë, ku renditen dokumentet që aplikuesi duhet të dorëzojë për të përfituar bonus qeraje, kërkohet një kontratë qeraje “nëse disponohet“.

As ligji e as Bashkia nuk përmendin në asnjë moment një kontratë të noterizuar. Kjo e fundit nevojitet vetëm për qera për një perjudhë mbi 9 vjet, kur prona e paluajtshme do të përdoret për qëllime bujqësore.

Lëvizja për Strehim ka referuar pranë Klinikës Ligjore rastin e dy nënave, një e divorcuar dhe një prind i vetëm, të cilave aplikimi iu është refuzuar për shkak se kontratat janë lidhur me familjar të tyre.

Specialistët e strehimit u justifikuan me një rekomandim të KLSH-së, e cila kishte gjetur abuzime në kontrata të tilla.

E megjithatë, ekspertët ligjor konstatuan se nuk ka bazë ligjore mbi të cilin të mbështetet rekomandimi. Në këto kushte, KLSH-ja mund vetëm të vendosë kritere mbi të cilat mund të bëhet refuzimi, por nuk mund ta ndalojë kontratat familajre.

Aktivistët kanë këmbëngulur që Bashkia të shtojë mekanizma monitorues për këto raste, si përshembull numrin e llogarisë bankare të familarit.

Ka arsye të forta pse gratë e divorcuara/prind i vetëm/me urdhër mbrojtje kërkojnë banesa pranë familjarëve pasi, një pjesë e tyre u duhet të punojnë e kanë nevojë për ndihmë me fëmijët e një pjesë tjetër nuk marrin ndihmë nga ish-bashkëshortët.

Këto probleme gërshetohen edhe me vështirësitë për gjetjen e një pronari, të gatshëm të bëjë kontratë qeraje, duke u lënë si opsion të vetëm kontratën brenda rrethit familjar.

Një tjetër rast, për të cilin u kërkua ekspertizë ligjore, ishte ai i një nënë të divorcuar me një fëmijë autik 20 vjeç. Sipas ligjit, zonja hyn në dy kategori prioritare për të përftuar strehim social.

Por, dokumentacioni i saj nuk u mor në ngarkim, pasi ajo disponon prej 30 vjetësh një kioskë, prej nga shet gazeta dhe iu kërkua të deklaronte të ardhurat mujore e vjetore tatimore, si dhe sigurimet shoqërore.

Ndërkohë, ligji parashikon llogaritjen e kufirit të të ardhurave për personat përfitues, i cili vërtetohet nga administratorët social, pas dorëzimit të dokumentacionit.

Për më tepër që, ligji parashikon edhe ankimim brenda 10 ditëve të përfundimeve të administratorit, duke i dhënë mundësi individit të provojë që hyn në kategorinë e personave që kualifikohen për strehim social.

Zonjës që shiste gazeta nuk i takonte të bënte derdhje tek tatimet në fund të muajit e në çdo rast, aplikimi nuk duhet të refuzohet nga sportelistja e njësisë vendore, siç ndodh shumë shpesh.

Ai duhet të shqyrtohet brenda afateve të përcaktuara, duke u dhënë mundësi këtyre grave që të plotësojnë dokumentet që mungojnë, siç ua garanton ligji.

Këto janë disa nga kalvaret me të cilat gratë e divorcuara/prind i vetëm/me urdhër mbrojtje përballen për përfitimin e strehimit.

Shumica absolute prej tyre nuk kanë informacion mbi kriteret, përtej asaj çka u komunikohet nga administratorët social pranë njësive vendore.

Shumica absolute nuk kanë mundësi t’i drejtohen një avokati për asistencën ligjore, që rezulton e domosdoshme.

Prandaj edhe Lëvizja për Strehim, e themeluar nga aktivistja Ina Kasimati dhe financuar nga projekti Lëviz Albania (mbështetetur nga Agjencia Zviceriane për Zhvillim dhe Bashkëpunim), po kërkon t’u vijë në ndihmë kategorisë së grave të divorcuara/prind i vetëm/me urdhër mbrojtje duke advokuar mbi thjeshtëzimin e proçedurave për sigurimin e strehimit.

Përkundër problemit të shtuar të administratorëve që refuzojnë aplikime, pa patur kompetencën, Lëvizja për Strehim ka kërkuar që aplikimi të bëhet online, përmes shërbimit e-Albania.

Autoritetet vendore janë justifikuar duke thënë se platforma nuk e përballon numrin e aplikimeve, por një raport i studiueses Marinela Sota zbuloi se numri i aplikimeve ishte i ulët.

Nga ana tjetër, Bashkia ende nuk ka kthyer një përgjigje në lidhje me kërkesën e Kasimatit dhe grupit advokues që ajo kryeson për vendosjen e një tabele informuese pranë njësive vendore, që shpjegon thjesht procedurat e aplikimit për programet e strehimit.

Si përfundim, gratë e kësaj kategorie janë skllave të një sistemi që, ndonëse u thotë se strehimi i tyre është prioritet, fsheh shtresa mbi shtresa pengesash që ua pamundësojnë përfitimin e ndihmës si shtresa në nevojë.

Porpos mbi 20 dokumenteve që duhet të dorëzojnë për çdo aplikim, autoritete vendore jo vetëm nuk ofrojnë facilitete, por u shtojnë edhe kritere të tjera të panevojshme e jo në përputhje me ligjin.

 

 

 

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>