Lëvizja Vetëvendosja (LVV) protestoi dje kundër vizitës në Tiranë të Presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç dhe Anëtarit të Presidencës së Bosnjë dhe Hercegovinës Milorad Dodik me rastin e Samitit të shtatë të Procesit të Brdo-Brijunit. Në njoftimin për shtyp, Bojken Abazi, drejtuesi i Qendrës së LVV në Shqipëri tha se:
Këta dy politikanë serbë kanë të kaluar dhe të tashme kriminale. Ata nuk kanë shprehur pendesë për luftën ndaj shqiptarëve. Ata shpallin hapur armiqësinë ndaj kombit shqiptar, kosovarëve dhe shqiptarëve në përgjithësi. Ne nuk mund të sillemi sikur jemi përpara një feste.
Gjithashtu, protestuesit u shprehën se politikat supremaciste të Vuçiçit dhe Dodikut rrezikojnë shqiptarët, drejtësinë dhe paqen në rajon.
Pavarësisht se tubimi ishte paqësor, policia arrestoi disa protestues të LVV, dhe i mbajti ata në rajon për disa orë. Qendra e LVV në Shqipëri tha se policia kishte ushtruar dhunë mbi protestuesit paqësorë, pas urdhërit nga zyrtarë të lartë të qeverisë.