Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane i kërkon Trumpit të heqë Grenellin si të dërguar të posaçëm

Nga Exit News
Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane i kërkon Trumpit të heqë Grenellin si të dërguar të posaçëm

Një organizatë lobiste shqiptaro-amerikane me qendër në Uashington, “Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane” i ka kërkuar Presidentit Trump të largojë Ambasadorin Grenell si të dërguarin e tij special në Kosovë. Ata mendojnë se Grenelli e ka humbur besueshmërinë se mund të jetë i paanshëm në bisedime.

“Ne besojmë se qasja e administratës Trump ndaj konfliktit Kosovë-Serbi në thelb është e gabuar dhe prandaj është e destinuar të dështojë. Ambasadori Grenell ka humbur besueshmërinë e një ndërmjetësuesi të paanshëm, Lidhja Qytetare i bën thirrje Presidentit Trump që të largojë  Ambasadorin Grenell nga detyrat e tij si i Dërguari Special për dialogun Kosovë-Serbi”, shkruhet në deklaratën publike të “Lidhjes Qytetare Shqiptaro Amerikane”.

Në deklaratën publike, organizata e cila ka për qëllim mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në SHBA, akuzon se Grenelli, së sëbashku me politikanë kosovarë po punojnë për interesa të Serbisë:

“Kryeministrit Albin Kurti është zgjedhur në mënyrë demokratike. Rënia ishte si rezultat i një lëvizjeje të paprecedentë të orkestruar nga disa anëtarë të elitës politike të Kosovës të përkushtuar për avancimin e interesave të tyre personale, në koordinim me të Dërguarin Special të Presidentit Trump për Negociatat e Paqes Serbi-Kosovë, Ambasadorin Richard Grenell”.

Bordi i organizatës ka listuar disa nga veprimet e kryera nga Ambasadori Grenell në dëm të Kosovës dhe mbrojtje të Serbisë, si:

— Keqpërdorje e rëndë e procesit duke ndjekur një zgjidhje të lehtë dhe të shpejtë. Ai lehtësoi takimet midis Presidentit të Serbisë Aleksander Vuçiç dhe Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi.

— Mbështetja e ndryshimit të kufijve midis Kosovës dhe Serbisë për të krijuar shtete etnikisht të pastra.

— Mosushtrimi i asnjë presioni ndaj Serbisë që të ndalojë fushatën e vet lobuese ndaj vendeve që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës që ta çnjohin atë dhe të ndalojë marrjen e armëve nga Rusia.

— Bërja e presionit vetëm mbi Kosovën, duke e kërcënuar me ngrirjen e programeve të zhvillimit ekonomik të qeverisë së SHBA të Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit në Kosovë dhe tërheqjen e trupave amerikane, nëse Kosova nuk i heq tarifat për mallrat serbe pa parakushte.

Gjithashtu, përfaqësuesit e organizatës shprehen se pas rrëzimit të qeverisë Kurti është Ambasadori Grenell, kështu ai “armatosi fort liderin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Isa Mustafa që të ndahet nga Vetëvendosja (LVV) me qëllim që të rrëzojë qeverinë e koalicionit LVV-LDK të shpresës dhe të ndryshimit, të udhëhequr nga dy politikanë më të mbështetur publikisht — Kryeministrit Albin Kurti dhe Kryetares së Kuvendit Vjosa Osmani, anëtare e LDK-së”.

Sipas tyre, “Grenell, përveç Hashim Thaçit ftoi Skënder Hyseni, ish-Ministrin e Punëve të Jashtme dhe përfaqësuesin e gardës së vjetër të partisë së koalicionit të ri të LDK-së, për të dhënë udhëzime se si ta përfundojë këtë qëllim disa ditë para propozimit të votimit të mosbesimit më 25 Mars”.

Bordi i Organizatës shprehet kundra edhe vendosjes së Mirosllav Lajçak si i Dërguari i emëruar i Evropës për bisedimet Kosovë-Serbi, për shkak të lidhjeve të tij me Serbinë gjatë rolit të tij si përfaqësues special i Bashkimit Evropian në Bosnje-Hercegovinë, midis viteve 2007 dhe 2009. Lajçak po ashtu është nga Sllovakia, një nga pesë vendet anëtare të BE-së që ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës

“Ata (Kurti, Osmani dhe politikanët të tjerë si to) duhet të ndalojnë çdo bisedim nga kushdo që mund të dëmtojë pavarësinë, integritetin territorial, dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës. Organizata nuk mbështet asnjë parti politike apo politikan por vetëm interesat e popullit shqiptarë”, shkruhet në fund të deklaratës.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>