Objektivat e Bashkimit Evropian për emetimin e gazrave serë do të jenë të detyrueshme të zbatohen nga vendet anëtares, sipas një ligji mbi klimën që Parlamenti Evropian miratoi të enjten.
Ligji hap rrugën për ndërrmarrjen e një sërë politikave që do të shkurtojnë ndotjen dhe ndikojnë në ngrohjen e planetit.
Objektivat aktuale të BE-së u ashpërsuan në prill të këtij viti, pas një debati të veshtirë mes vendeve anëtare.
Ato parashikojnë një zvogëlim të emetimeve neto të gazrave me 55% deri në 2030, krahasuar me nivelet e vitit 1990, dhe eleminim të emetimeve neto deri në 2050.
Ligji gjithashtu parashikon krijimin e një organi të pavarur ekspertësh, që do të këshillojnë mbi politikat klimatike, dhe një buxhet të dedikuar për të matur emetimet totale të Bllokut vitet e ardhshme.
Legji do të ketë një impakt të thellë në një sërë ligjesh të tjera, të cilat duhet të rishkruhen ose të përshtaten për të arritur objektivat.
Shumica e ligjeve të BE janë krijuar për të përmbushur objektivin e mëparshëm të bllokut për të ulur emetimet me 40% deri në 2030 dhe kanë nevojë për azhurnim për të përmbushur qëllimet e reja. Emetimet e BE-së në 2019 ishin 24% më të ulëta se në 1990.
“Sot është një ditë historike. Në qoftë se nuk i ulim shpejt emetimet tona, shkenca është e qartë. E ardhmja do të jetë katastrofike,” citohet Social Demokratja Suedeze Jytte Guteland nga Reuters.
“Ky është ligji i ligjeve, sepse ai do të na disiplinojë në vitet që vijnë,” u shpreh nga ana tjetër Frans Timmermans, kreu i politikës së klimës së BE.
Vendet anëtare të BE-së do ta miratojnë zyrtarisht ligjin të hënën, pavarësisht protestave të disa partive të gjelbra të cilët për vitin 2030 kërkojnë një reduktim më të madh të gazrave serë.