Sistemi aktual i dhomave të tregtisë përfaqëson veten dhe jo biznesin. Vetëm 500 nga 113 mijë shoqëri tregtare të regjistruara në vend, janë anëtarësuar në dhomat e tregtisë, pra rreth 0,5 përqind e gjithë bizneseve të vendit. Në fakt, gati gjysma e 12 dhomave rajonale të tregtisë pothuajse nuk kanë fare anëtarë e nuk zhvillojnë asnjë aktivitet.
Braktisja e dhomave të tregtisë nga biznesi është rezultat i padobishmërisë së tyre. Dhomat nuk ofrojnë ndonjë shërbim të dobishëm: regjistrin tregtar të kompanive e mban QKR; promovimin e biznesit dhe investimeve e bën agjencia e investimeve AIDA dhe agjenci të tjera publike; dialogu dhe përfaqësimi tek institucionet shtetërore është i kanalizuar përmes Këshillit Ekonomik Kombëtar (KEK) dhe Këshillit të Investimeve, si dhe shoqatave profesionale të biznesit.
Akoma më i padobishëm dhe absurd është niveli tjetër i organizimit të dhomave të tregtisë, struktura e ashtuquajtur Bashkim i Dhomave të Tregtisë, i cili ka për anëtarë 12 dhomat e tregtisë.
Grupimi i kompanive mbi bazë territoriale është një sistem i vjetëruar dhe i padobishëm, aq më tepër në një vend të vogël dhe të përqëndruar kryesisht rreth kryeqytetit, siç është Shqipëria. Organizimi modern i përfaqësimit të biznesit në botë, tashmë po bazohet gjithnjë e më shumë në shoqata profesionale, që grupojnë kompani me fushë të njejtë apo të ngjashme aktiviteti, të cilat kanë probleme e interesa të ngjashme përballë palëve të treta, përfshi qeverinë.
Edhe në Shqipëri shoqatat e tilla profesionale, të cilat ekzistojnë paralelisht me dhomat e tregtisë, kanë qenë shumë më të suksesshme dhe më efektive në mbrojtjen e nxitjen e interesave të anëtarëve të tyre.
Por, përkundër përvojës botërore dhe përvojës më të mirë në vend, qeveria shqiptare ka vendosur të fuqizojë sistemin aktual të dhomave të tregtisë, duke shkelur lirinë e sipërmarrjes dhe të organizimit vullnetar, për t’i detyruar bizneset të anëtarësohen në dhomat e tregtisë.
Ndër të tjera, ligji i ri parashikon që një përqindje e fondeve nga pagesa e detyrueshme e anëtarësisë, të shkojë për Bashkimin e Dhomave të Tregtisë, të cilit ligji i jep edhe të drejtën të caktojë kuotën e detyrueshme të anëtarësimit në dhomat e tregtisë.
Pagesa aktuale e regjistrimit në një nga dhomat e tregtisë është 50 mijë lekë për personat juridikë. Kjo do të thotë, që mbas hyrjes në fuqi të ligjit, nga kuotat e anëtarësimit (edhe nëse nuk do të rritet kuota aktuale) do të mblidhen afërsisht 10 milionë euro në vit. Nga këto, rreth 3 milionë do t’i shkojnë Bashkimit të Dhomave të Tregtisë.
Nga ana tjetër, ligji i jep bordit drejtues të Bashkimit të Dhomave të drejtën të përcaktojë shpërblimet e anëtarëve të vet, të cilët praktikisht konsiderohen persona privatë pasi nuk kanë ansjë detyrim të deklarojnë të ardhurat dhe pasurinë.
Regjistrimi i detyrueshëm në dhomat e tregtisë është gjetje e vendeve autokrate. Ai është një sistem ku qeveria përcakton përfaqësimin e palëve shoqërore, pra ajo zgjedh përfaqësuesit e kundërshtarëve që do të ketë përballë. Është mekanizëm komplet qesharak dhe tipik për diktaturat.
Po përse qeveria po propozon një ligj antikushtetues për t’i siguruar të ardhura të jashtëzakonshme një administrate burokratike që jo vetëm është e padobishme por edhe jashtë çdo kontrolli e përgjegjshmërie?
Një shpjegim ndoshta mund të nënkuptohet nga një tjetër përcaktim i ligjit të ri: heqjen e detyrimit që Presidenti i Bashkimit të Dhomave të Tregtisë të jetë punonjës(e) me kohë të plotë, që do të thotë se tashmë presidenti mund të jetë dikush që është i apo e punësuar diku tjetër.
Pse po ndodh kjo? Kush është presidenti aktual i Bashkimit të Dhomave?
Presidente e sapozgjedhur për një mandat, është avokatja Ines Muçostepa, prej vitesh administratore e një prej qendrave telefonike italjane më të mëdha në Shqipëri, shumë e afërt dhe e besuara e pronarit kalabrez të kompanisë.
Zonja Muçostepa është pa dyshim, një grua profesioniste, e përgatitur dhe shumë tërheqëse. Që pas zgjedhjes në krye të Bashkimit të Dhomave, ajo është bërë gjithashtu, një ndër njerëzit më të afërt të Kryeministrit Rama, i cili e ka angazhuar në vizitat e tij jashtë vendit, në aktivitete të rëndësishme me biznesin, si dhe në një sërë bordesh e organizmash të rëndësishme, përfshi Këshillin Ekonomik Kombëtar, Këshillin e Investimeve, dhe bordin e Qendrës për Dialog e Hapje në Kryeministri, projekti ekskluziv dhe personal i Kryeministrit Rama.
Mund të mendohet se motivimi real i ndryshimeve të propozuara në ligjin për dhomat e tregtisë ka qenë, pikërisht, simpatia apo mbështetja e Kryeministrit për një nga bashkëpunëtoret e tij më të ngushta.
Një simpati që do t’i kushtojë biznesit të paktën 10 milionë euro në vit, nga të cilat rreth 3 milionë do të menaxhohen direkt nga bashkëpunëtorja e Kryeministrit.
Nëse përfaqësuesit e popullit në Kuvend nuk do të gjejnë pak dinjitet, 27 mijë kompani shqiptare duhet të paguajnë taksën e “simpatisë” që Kryeministri ka vendosur t’u vëre bizneseve.
Artikuj të lidhur: