Ligji i Vullnetarizmit, dita më pas

Nga Ili Gërdupi
Ligji i Vullnetarizmit, dita më pas

Në vitin 2015 Këshilli i Ministrave miratoi Strategjinë Kombëtare të Rinisë 2015-2020. Shqipëria duket se nuk e kishte ndjerë mungesën e këtij dokumenti deri në atë moment, pasi strategjia e vjetër kishte mbaruar prej dy vjetësh, por edhe ajo nuk kishte prodhuar ndonjë rezultat gjatë jetës së saj.

Gjatë hartimit të kësaj Strategjie u tha se do të veprohej ndryshe, duke propozuar veprime konkrete të cilat do të shoqëroheshin me kostot përkatëse. Proçesi i hartimit ishte i hapur dhe gjithëpërfshirës, duke angazhuar organizata rinore nga e gjithë Shqipëria në një seri takimesh lokale, duke u përmbyllur me një takim kombëtar. Një nga nënkapitujt e Strategjisë Kombëtare të Rinisë ishte i dedikuar për vullnetarizmin dhe përmbante një pikë të vetme: miratimin e Ligjit të Vullnetarizmit.

Miratimi i një ligji që rregullon marrëdhëniet mes vullnetareve dhe organizatave ofruese të vullnetarizmit ka qenë një kërkesë e hershme e organizatave të shoqërisë civile të paktën prej vitit 2004. Nevoja për ligjin vinte si një zgjidhje për statusin e personave te cilët kryenin punë të papaguar, dhe si një mundësi për të nxitur më shumë të rinj për t’u perfshirë në punë vullnetare. Si një ndër pikat më konkrete të Strategjisë, një projektligj u propozua brenda vitit 2015 nga 2 prej deputeteve më të reja të Kuvendit. Prej disa vitesh kishte organizata të cilat kishin bërë studime dhe perpjekje për të hartuar draftet e tyre të ligjit. Pjesa madhore e pikave të projektligjit përputhej me draftet e shoqërisë civile, ama ndryshonin në elementin kryesor, atë që është edhe objektivi i ligjit.

Organizatat besonin se ligji duhet të përmbante sa më shumë incentiva për vullnetarët në mënyrë që miratimi i tij të nxiste sa më shumë të rinj. Në vend të kësaj projektligji i propozuar, krijonte detyrime financiare për vullnetarët duke i kërkuar organizatave të paguajnë sigurime shëndetësore për vullnetarët. Krahas krijimit të detyrimeve të cilat më parë nuk ekzistonin, projekt-ligji i ri nuk parashikonte asnjë incentivë.

Ky ndryshim u prit me kritika nga organizatat kryesore të ofrimit të vullnetarizmit duke paralajmeruar se në vend që të shtohej, numri i vullnetarëve do të pakësohej, pasi shumë pak të rinj do ishin të gatshëm që perveç kohës së ofruar si vullnetar, të duhej edhe të paguanin. Organizatat që ofrojnë numrin më të madh të mundësive për vullnetarizëm janë edhe më të prekurat pasi kostoja e mbledhur e pagimit të sigurimit të të gjithë vullnetarëve bëhet shumë e madhe duke i shtyrë këto organizata ta kufizojnë numrin në vend që ta rrisin ate. Në versionin e miratuar nuk u pranua asnjë nga propozimet për ta kufizuar sigurimin shëndetësor vetëm për ato punë të konsideruara të rrezikshme, apo për të krijuar incentiva të tjera, duke thënë se kostot shtesë nuk do të ndikojnë.

Një vit e gjysmë pas miratimit të Ligjit të Vullnetarizmit nuk ka asnjë organizatë të regjistruar si ofruese vullnetarizmi, dhe aktet nënligjore të cilat duhet të ishin miratuar 6 muaj pas miratimit të ligjit ende nuk janë në fuqi. Asnjë organizatë nuk është angazhuar për të nxitur Ministrinë të nxjerrë aktet që do e bënin ligjin (që kishin më shumë se një debat që përpiqeshin të miratonin ) të zbatueshëm, pasi të do ishin të detyruara të regjistronin vullnetarët brenda 10 ditëve pranë Shërbimit Kombëtar të Punës. Mjaft organizata të cilat më parë angazhonin një numër të konsiderueshëm vullnetarësh tashmë i kanë kufizuar në frikën se në rastin e një inspektimi vullnetarët do të konsideroheshin si punonjës të paregjistruar, dhe për pasojë organizata do të merrte masë administrative. Një ligj i shumëpritur nga organizatat e shoqërisë civile solli efekte tërësisht të kundërta nga ato që kërkonte të arrinte.

Dita Ndërkombëtare e Vullnetarizmit e gjen këtë vit Shqipërinë më pak të gatshme për angazhim qytetar.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>