Komisioni parlamentar i Veprimtarive Prodhuese shqyrtoi, të martën, dekretin e Presidentit Meta, i cili kthente mbrapsht për rishqyrtim në Kuvend ligjin për ndërtimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar për shkak të një sërë shkeljesh kushtetuese, ligjore dhe standardeve të qeverisjes.
Në mënyrë të paprecedentë dhe të paligjshme shumica socialiste në Komision ka miratuar dekretin e Presidentit—që praktikisht e rrëzon ligjin duke pranuar vërejtjet e tij, ndër të tjera për antikushtetueshmëri—dhe po aty për aty, brenda pak minutash, kanë bërë amendime të ligjit, pa ja nënshtruar ato asnjë debati dhe procedure normale parlamentare.
Shqyrtimi i Dekreteve të Presidentit rregullohet në Rregulloren e Kuvendit, e cila në Nenin 86/2 shprehet se:
“Komisioni përgjegjës e shqyrton dekretin vetëm për çështjet e paraqitura nga Presidenti i Republikës dhe brenda 8 javëve nga data e fillimit të shqyrtimit paraqet raportin e tij. Ky raport përmban mendimin e komisionit dhe, sipas rastit, edhe propozime për nene të veçanta të ligjit.”
Komisioni nuk hartoi asnjë raport, sikurse kërkon ligji, dhe, për më tepër, ndryshoi ndjeshëm një pjesë të ligjit në pika që nuk kanë të bëjnë me dekretin e Presidentit, duke u justifikuar se po përmirësojnë ligjin në përputhje me vërejtjet e Komisionit Europian—edhe pse ligji i detyron për të shqyrtuar vetëm vërejtjet e Presidentit dhe përgjigjen ndaj secilës prej tyre një për një.
Sipas socialistëve, ndryshimet e bëra në projektligj reflektojnë kërkesat e Komisionit Evropian për hapjen e garës për zgjedhjen e kompanisë zhvilluese. Me këtë argumentim ata kanë hequr nga ligji përcktimin e Fusha shpk-së si kompania që do zhvillojë zonën dhe ndërtojë godinën e re të teatrit, dhe kanë lejuar zhvillimin e një gare për të përzgjedhur me procedura konkurruese zhvilluesin.
Por ky pretendim, në dukje justifikues, e nxjerr krejt zbuluar qeverinë: justifikimi i qeverisë për ligjin special Fusha ishte se duke qenë se godina mund të ndërtohej vetëm nga Fusha sepse ajo ishte pronare e tokës private, atëherë nuk mund të zbatohej as ligji i prokurimeve dhe as ligji i PPP-ve, prandaj duhej që Kuvendi të autorizonte një procedurë të veçantë jokonkurruese. (Ky justifikim u diskreditua me vonë pasi u zbulua se, në fakt, Fusha kishte vetëm rreth 298 metra katorë truall në pronësi dhe jo ngjitur me truallin e teatrit, ndërkohë që e gjithë toka tjetër private ishte në pronësi të disa familjeve tiranase.)
Por nëse i vetmi justifikim për ligjin special ishte kufizimi i detyrueshëm se ndërtimin mund ta bënte vetëm Fusha shpk, tani që qeveria ka pranuar se çdo kompani tjetër mund ta kryejë ndërtimin, atëhere vetë ligji special është i pajustifikuar: tani përzgjedhja e fituesit mund të bëhet pa asnjë problem mbështetur në ligjin e prokurimeve dhe atë të PPP-ve.
Megjithatë, shumica duket se e ka harruar apo shpërfillur këtë arsyetim dhe tani ka shpallur vullnetin e saj për ta sjellë ligjin në përputhje me kërkesat e Komisionit Evropian për konkurrueshmërinë dhe barazinë në konkurrim.
Por, ndonëse në letër është shkruar se ndryshimet e bëra hapin garën dhe konkurueshmërinë, pas përcaktimeve të propozuara duket se fshihet qëllimi për të zhvilluar një proces fiktiv dhe të kontrolluar “konkurimi”, me gjasa, për të kontraktuar pikërisht kompaninë e paracaktuar, Fusha shpk.
Kusht për pjesëmarrjen në tender është vendosur pasja e një marrëveshje paraprake me të gjithë pronarët privatë. Kjo do të thotë që çdo kopami që dëshiron të konkurojë duhet të bëjë një marrëveshje paraprake edhe me kompaninë Fusha shpk, e cila ka në pronësi një pjesë të truallit privat, në të cilën Fusha duhet të deklarojë se është e gatshme që t’ja shesë tokën konkurentit të saj për ta zhvilluar sipas planeve të tyre. Nëse Fusha vendos të mos bëjë marrëveshje, që duket gjëja e vetme që i intereson, atëhere askush tjetër veç Fushës nuk mund të marrë pjesë në garë, duke e lënë Fushën të vetmin konkurent.
Sikur të mos mjaftonte kaq, kriteret e vendosura në ligj janë një shmangie e qëllimshme nga procedurat standarde dhe institutionet e specializuara, me qëllim kontrollin e plotë nga dyshja Rama-Veliaj të të gjithë procesit, qoftë fiktiv, të konkurrimit.
Kriteret e konkurrimit do t’i përcaktojë Këshilli i Ministrave; tenderi do të realizohet nga Bashkia Tiranë; ofertat do të vlerësohen nga një komisonin i kryesuar nga një përfaqësues nga Bashkia e Tiranës dhe me anëtarë përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë, Financave, Infrastrukturës, Kulturës, Avokatura e Shtetit dhe trupa teatrore.
Ligj i mohon të drejtën pjesëmarrësve për t’u ankimuar pranë Komisionit të Prokurimet Publik, i cili është autoriteti i përcaktuar në ligj për shqyrtimin e të gjitha pretendimeve dhe ankimimeve në lidhje me prokurimet dhe tenderimet e tjera publike—Neni 78 i Ligjit për Prokurimin Publik shprehet se “kundër vendimit të autoritetit kontraktor mund të bëhet ankim në Komisionin e Prokurimit Publik”.
Ligji special ja jep Kryebashkiakut Veliaj të drejtën e shqyrtimit të ankimimeve nga konkurruesit në garë. Neni 7/8 i ligjit të propozuar shprehet se çdo kompani ka të drejtë të ankimojë vendimin e komisonit të vlerësimit tek kryetari i Bashkisë Tiranë. Veliaj pastaj ka të drejtë që ta rrëzojë ankesën duke konfirmuar vlerësimin dhe përzgjedhjen e komisionit ose ta pranojë atë dhe të urdhërojë komisionin të rivlerësojë ofertat.
Por nëse ky vlerësim i dytë nuk i pëlqen krybashkiakut Veliaj, ligji (Neni 7/9) i jep atij të drejtën arbitrare që të mos e pranojë atë dhe të hyjë në fuqi vlerësimi i parë, që Veliaj kishte urdhëruar fillimisht të vlerësohej.
Këto kanë qenë shqetësimet dhe rregullimet e vetme të shumicës socialiste—për shkeljen e Kushtetutës duke i marrë këshillit bashkiak të drejtën ekskluzive për tjetërsimin e pronave bashkiake, shkelje për të cilën nuk është bërë asnjë koment.
Në fakt, asnjë nga shkeljet e ngritura në dekretin e Presidentit nuk është marrë në konsideratë, edhe pse dekreti, çuditërisht, është miratuar nga shumica socialite në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese.