Ambasadori Lu apo PD: kush ka të drejtë për vendet e rezervuara? — Exit Shpjegon

Ambasadori Lu apo PD: kush ka të drejtë për vendet e rezervuara? — Exit Shpjegon

Ambasadori amerikan Lu u drejtoi, dje, një letër deputetëve të Kuvendit, në të cilën jepte disa argumenta pse ata duhet të miratojnë reformën në drejtësi.

Ambasadori ka kundërshtuar pretendimin se drafti i reformës nuk zbaton rekomandimin e pikës 88 të Opinionit Përfundimtar të Komisionit të Venecias dhe ka pohuar se Komisioni i Venecias nuk ka sugjeruar asnjëherë modelin e ashtuquajtur “të vendeve të rezervuara” që pretendon PD.

Ai ka këshilluar deputetët të rilexojnë me kujdes jo vetëm pikën 88, por edhe pikën 61 të opinionit të Venecias.

Exit i komenton më poshtë këto dy pika të opinionit të Venecias me disa pika të tjera së bashku me disa komente.

Pika 61 e Opinionit të Komisioni shprehet:

Opozita, sikurse në rastin e Këshillit të Lartë të Gjyqësorit dhe të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, këmbëngul se anëtarët e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit duhet të zgjidhen me shumicë dy të tretat. Komisioni i Venecias rithekson se të dyja zgjidhjet do të ishin legjitime; sidoqoftë, për të shmangur paralizën politike, që ka shumë gjasa të ndodhë në rastin e një pragu të lartë, ligjbërësi mund të konsiderojë sisteme të tjera alternative të zgjedhjes së anëtarëve të Këshillit të Pavarur të Kualifikimit dhe të gjykatësve të Kolegjit të Posaçëm të Kualifikimit.”

Sikurse shihet, pika 61 thekson faktin se formula e zgjedhjes së anëtarëve me shumicë të kualifikuar—qoftë 2/3 apo 3/5—  me gjasa do të çojë në ngërç parlamentar, pasi shumica të tilla parlamentare nuk arrihen dot lehtë. Për ketë arsye, sugjerohet gjetja e ndonjë modeli tjetër të zgjedhjes së anëtarëve.

Pika 88 e oponionit shprehet:

Nëse palët në procesin politik nuk bien dakord për shumicën e cilësuar që duhet për të zgjedhur anëtarët jashtë sistemit të Këshillit të Lartë të Gjyqësorit, Këshillit të Lartë Prokurorisë, Këshillit të Pavarur të Kualifikimit dhe të Kolegjit të Posaçëm të Kualifikimit, ata mund të zgjedhin një sistem të përpjesshëm i cili garanton përfaqësimin e opozitës në këto organe kolektive ose çdo model tjetër të përshtatshëm që do të siguronte ndikimin e opozitës në procesin e përzgjedhjes. (Vazhdimi i pikës 88 flet për tjetër çështje.)

Praktikisht pika 88, këshillon se shqetësimi i ngritur në pikën 61, mund të zgjidhet me anë të:

  • një sistemi të përpjesshëm zgjedhjeje, i cili garanton që një pjesë e anëtarëve do të zgjidhen nga propozimet e opozitës; ose
  • çfarëdo modeli tjetër, i cili i garanton opozitës një farë ndikimi në zgjedhje.

Indirekt, neni 88 sugjeron atë që opozita e ka quajtur sistem i vendeve të rezervuara, në propozimin për sistemin e përpjesshëm.

Në versionin original, në anglisht, të rekomandimeve, Komisioni i Venecias ka përdorur termin “proportionate” dhe jo termin “proportional”. Ndryshimi mes dy termave edhe pse duket i vogël, është thelbësor në kontekstin të cilin e ka përdorur Komisioni: “proportional” do të thotë që përbërja e organeve që do krijohen të reflektojë afërsisht përbërjen e Kuvendit, kurse “proportionate” do të thotë që përbërja e organeve të ndahet në pjesë të përshtatshme mes shumicës dhe pakicës—pra, një pjesë e anëtarëve të organit përkatës të zihet nga propozime të shumicës dhe një pjesë nga propozime të pakicës.

Koncepti i sistemeve proporcionale të zgjedhjes ka të bëjë kryesisht me rastin kur votimi bëhet nga individë për të zgjedhur një organ përfaqësues, të themi votuesit e një vendi për zgjedhjen e parlamentit. Proprocionaliteti kërkon që sistemi i votimit duhet të garantojë që përbërja e parlamentit të reflektojë votat e popullsisë. Për shembull, nëse 30 për qind e votuesve individualë kanë votuar për një parti të caktuar, atëhere afërsisht 30 përqind e vendeve në parlament duhet të zihen nga kandidatët e kësaj partie.

Krejtësisht tjetër është votimi i ashtuquajtur “në komitete”, pra, votimi brenda organeve të zgjedhura me votim popullor, si parlamentet. Në Kuvend edhe pse votuesit janë deputetët, në të vërtetë kemi thjesht dy blloqe omogjene votash—pra, praktikisht, dy “votues”—pasi deputetët votojnë në bllok në linjë partiake. Prandaj, në rastin e votimit në Kuvend nuk bën sens termi “proporcional”, pasi rezultati final i një votimi ka vetëm dy mundësi: ose sikurse do shumica—për, të gjitha votimet me shumicë të thjeshtë—ose sikurse duan shumica dhe pakica në rastet kur duhet shumicë e kualifikuar, të themi dy të tretat. E para ndodh gjithmonë, e dyta ndodh shumë rrallë.

Për këtë arsye, për votimet në Kuvend nuk flitet për proporcionalitet, pasi aty ka vetëm dy rezultate të mundshme: siç voton shumica ose siç votojnë të gjithë në rastet shumë të rralla kur arrihet konsensus. Por nuk mund të ketë asnjëherë një rezultat siç do vetëm pakica apo kombinim i përpjesshëm mes asaj që do shumica dhe asaj që do pakica.

Ndaj edhe Komisoni i Venecias nuk ka përdorur termin “proportional”, por temrin “proportionate”, duke nënkuptuar se pjesët e shumicës dhe pakicës në rezultatin përfundimtar, pra përbërjen e organit përkatës, duhet të caktohen paraprakisht, afërsisht në përpjestim me përqindjet e vendeve që ato kanë në Kuvend.

Ky propozim i Komisionit të Venecias bëhet më i qartë nëse konsiderohet një tjetër pikë e Opinionit Përfundimtar—pika 17, e cila i referohet zgjedhjes së anëtarëve të Këshillit të Lartë të Gjyqësorit. Pika 17 shprehet:

Sa i përket metodës së zgjedhjes së anëtarëve jashtë sistemit, një sërë zgjidhjesh të tjera janë të mundshme dhe Parlamenti mund të konsiderojë opsione të tjera, domethënë përfaqësimin de facto të përpjesshëm në Këshillin e Lartë të Gjyqësorit.

Pika 17, sikurse ajo 88, përdor termin po “proportionate” dhe jo “proportional” duke nënkuptuar ndarjen paraprake të vendeve mes shumicës dhe pakicës. Kjo gjë shtjellohet më tej përmes ilustrimeve në shënimin sqarues të Pikës 17, në të cilin propozohen dy metoda të mundshme proporcionale të votimit, si më poshtë:

]do deputeti mund t’i jepet e drejta për të votuar vetëm për një nga pesë kandidaturat, që do të thotë se opozita duke përqëndruar votat e saj në zgjedhjen e një apo dy kandidatëve, mund t sigurojë përfaqësim brenda Këshillit të Lartë të Gjyqësorit, ndërsa shumica do të mbështesë tre kandidatët e tjerë. Në këtë skenar, ndërsa opozita nuk do të ketë fuqi bllokuese brenda KLGJ-së, ajo do të ketë të drejta të caktuara proceduriale dhe prania e saj në KLGJ do të sigurojë transparencën e punës së Këshillit.

Një model tjetër i zgjedhjes është krijimi i dy listave alternative të kandidatëve — një nga koalicioni qeverisës dhe një nga opozita. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi do t’i rendisë kandidatët dhe t’ja u cojë të dyja listat Kuvendit, i cili pastaj do të zgjedhë tre kandidatë nga “lista e shumciës” dhe dy nga “lista e opozitës”, në të dy rastet me shumicë 3/5 të votave.

Metoda e propozuar në paragrafin e dytë më sipër, pjesë e pikës 17, është qartësisht “metoda e vendeve të rezervuara” në formën e propozuar nga PD—pra, zgjedhjen e tre anëtarë nga lista e propozimeve të shumicës dhe dy anëtarëve të tjerë nga lista e pakicës (pika b më sipër).

Pikërisht, kjo lloj ndarje “tre me dy”, apo në një raport tjetër të përshtatshëm, është ajo që Komisioni i referohet si “proportionate” edhe në pikën 88 dhe që Partia Demokratike i referohet si modeli i “vendeve të rezervuara”.

Në përmbledhje, është e qartë se Komisioni i Venecias ka rekomanduar si një ndër opsionet kryesore të zgjedhjes nga Kuvendi së anëtarëve të organeve të drejtësisë, pikërisht, zgjedhjen nga lista të veçanta me propozimet e shumicës dhe pakicës, sipas raporti të përshtatshëmë të përcaktuar parapraksit, përfshi atë 3 me 2.

Në letrën e Ambasadorit Lu, nën një kre të titulluar “sistemet proporcionale” përmenden disa propozime të sistemeve të tilla:

“Komisioni i Venecias rekomandon që nëse të dy palët nuk mund të gjejnë kompromis, mund të marrin në konsideratë përdorimin e një sistemi proporcional…

Në fakt, ka një sërë sistemesh proporcionale, përfshi votën e vetme të transferueshme, votimin e balotazhit të menjëhershëm, votimin e shumëfishtë, eliminimin dhe votimin Kondorse. Secili prej këtyre sistemeve do të ishte tërësisht në përputhje me Komisionin e Venecias.”

Në fakt, metoda Condorset dhe ajo e balotazhit të menjëhershëm janë sisteme maxhoritare dhe jo proporcionale, si të tilla ato nuk mund të zbatohen pasi prodhojnë vetëm rezultatet që kërkon shumica. Nga ana tjetër jane sisteme të pavolitshme nga pikëpamja praktike për t’u zbatuar në rastin konkret—prandaj përdoren rallë në kontekste të ngjashme në botë.

Përtej diskutimit teknik, Ambasadori Lu ka të drejtë në një pikë tjetër është thelbësore: zvarritja e deritanishme e reformës është bërë për shkak të mungesës së vullnetit politik mes palëve për t’u ulur në mënyrë të sinqertë dhe për të gjetur një zgjidhje të përshtatshme.

Sikurse ka theksuar disa në Opinionin e tij Komisioni i Venecias zgjidhje teknike ideale nuk ka: çdo gjë do varet nga vullneti i ligjbërësit dhe i klasës politike në përgjithësi.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>