LSI ka mbyllur, praktikisht, çdo mundësi që reforma në drejtësi të miratohet më 21 korrik në formën që është depozituar në Kuvend.
Dje dhe sot Kryetari i LSI-së dhe i Kuvendit Ilir Meta ka bërë dy deklarata për mediat thelbi i të cilave është: reforma duhet miratuar me konsensus dhe konsensusi duhet arritur paraprakisht, para se të shkohet në votim.
Kjo do të thotë se votimi i 21 korrikut është i pavlerë nëse PS, PD dhe LSI nuk kanë arritur një kompromis jashtë parlamentar më parë. Qëndrimi “politiko-procedurial” i LSI-së e redukton në rreth 50-60 deputetë socialist numrin e votave pro reformës në Kuvend nga 94 që është minimumi i nevojshëm për miratimin e saj.
Deri para pak ditësh, mendohej gjerësisht se shumica—PS dhe LSI—ishte e bashkuar në qëndrimin pro draftit të reformës dhe tashmë duhej vetëm bindja e PD-së.
Nisur nga ky supozim, pati përpjekje që edhe nëse PD zyrtarisht do të votonte kundër draftit aktual, të “bindeshin” rreth 5-7 deputetë të saj për të votuar pro reformës.
Tashmë është e qartë se LSI ka qenë kundër draftit të reformës.
Mbi të gjitha, LSI u la jashtë dhe u injorua plotësisht në gjithë procesin e negociatave me opozitën, të cilat u zhvilluan kryesisht nga ambasadorët e huaj në Tiranë në koordinim me Kryeministrin Rama.
Kulmin injorimi e arriti gjatë vizitës së Ndihmës Sekretares amerikane të Shtetit Viktoria Nuland, e cila nuk u takua me Zotin Meta. Për më tepër, Zoti Rama nuk e informoi Zotin Meta në lidhje me propozimin e Zonjës Nuland por mbajti qëndrime dhe e pranoi atë publikisht pa u konsultuar fare me aleatin e tij.
Ishte domethënëse që pesë ditë pas largimit të Zonjës Nuland, i pyetur nga gazetarët, jo pa ironi Zoti Meta u shpreh se nuk mund të jepte asnjë mendim në lidhje me propozimin e Zonjës Nuland pasi askush nuk e kishte informuar për të. Pak orë pas kësaj deklarate të Zotit Meta, Ambasadorët Lu dhe Vllahutin vrapuan në zyrën e tij, me sa duket për ta informuar dhe qetësuar.
Pas këtij takimi, Zoti Meta ripërsëriti tezën e qendrueshme të LSI-së reforma duhet miratuar me konsensus. Qendrim parimor, por që praktikisht zeron çdo mundësi për miratimin në Kuvend të reformës për aq kohë sa PS dhe PD janë larg një konsensusi.
Natyrisht, mendimi i vërtetë i LSI-së dhe Zotit Meta nuk është kaq parimor. Por për momentin, duket se parimorja dhe pragmatikja janë e njejta gjë për të.