Lëvizja Socialiste për Integrim i ka dërguar Komisionit të Venecias propozimet e veta për Reformën në Drejtësi. Ekspertët e LSI-së e rrëzojnë në thelb variantin e PS-së me propozimet për Reformën në Drejtësi, të përgatitura nga komisioni i ekpsertëve të nivelit të lartë për këtë reformë.
Tri janë pikat ku LSI kundërshton propozimet e PS-së për reformën në drejtësi, raporton Tesheshi.com: zgjedhja dhe kohëzgjatja e mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm, kriteret përmes të cilave zgjidhen gjyqtarët dhe mbivendosjen e të drejtës së BE-së mbi atë të Shqipërisë.
LSI-ja kundërshton qartë e prerë caktimin e një kryeprokurori të fuqishëm dhe jetëgjatë të Republikës, me një mandat 9-vjeçar. Ekspertët e LSI-së argumentojnë se mandati 9-vjeçar është i gjatë dhe i pajustifikueshëm. Në pikën për mënyrën se si zgjidhen gjyqtarët sipas draftit të PS-së, LSI argumenton se kriteri për 20 vite përvojë në gjyqësor, sipas draftit të PS-së është i padrejtë pasi përjashton juristët e shkolluar 20 vitet e fundit, të cilët mund të kenë maksimalisht një përvojë 15-vjeçare.