Lëvizja Socialiste për Integrim i ka kërkuar të hënën qeverisë të reflektojë për situatën pas bërjes publike të raportit të OECD, i cili nxjerr në pah se Shqipërisë janë duke iu larguar intelektualët.
Përfaqësuesja e LSI Klajda Gjosha, ish ministre e Integrimit tha të hënën se ajo që ka ndodhur vitet e fundit është diçka që nuk e kemi parë më parë.
Në një intervistë për News 24 ajo tha:
“Në vitet e fundit është rrënuar arsimi, është degraduar. Po largohet shumë shtresa e mesme se është edhe shtresa më e prekshme. Paguan 23% të taksave në vend. Të rinjtë po ashtu janë të parët që duan të largohen”.
Të gjitha raportet ndërkombëtare flasin për këtë ikje të madhe, tha Gjosha dhe shtoi se “nuk jemi në luftë, por Shqipëria është në paqe”. Sipas saj duhet punuar në lidhje me “këtë gjakderdhje”. Ajo nënvizoi se qeveria ta analizojë pse po ikin shqiptarët.