LSI deklaroi se vendimi i Komisionit të Ligjeve për hapjen e listave dhe ndalimin e koalicioneve është i njëanshëm dhe do të shkaktojë konflikt politik e kushtetues.
Në një intervistë, nënkryetarja e LSI, Erisa Xhixho pohoi se opozita nuk është kundër hapjes së listave, por kjo gjë kërkon një konsultim të gjerë me qytetarët.
“Duhet të sqaroj që cështja e sistemit apo listave të hapura nuk është se opozita është kundër, por kemi një marrëveshje në 5 qershor. Jemi për të diskutuar për sistemin zgjedhor, ok hajdeni ulemi sërish në tryezë. Duhet një debat i gjerë për sistemin dhe vendimmarrja u takon qytetarëve. Edhe për hapjen e listave që ka disa variante. Kjo nuk mund të bëhet në mënyrë të njëanshme.”
Xhixho pohoi se kryeministri Rama po minon marrëveshjen e 5 qershorit dhe se opozita do t’i japë përgjigjen e duhur në momëntin e duhur këtij provokimi.
E pyetur nëse hapja e listave dhe ndalimi i koalicioneve penalizon LSI, nënkryetarja e LSI u përgjigj:
“LSI nuk ka asnjë penalizim nga kjo, kemi kaluar 2009, pas marrëveshjes së 2008 dhe sfida të tjera. Problemi më pak i vogël është ku do të jetë LSI-ja, por ku do të jetë vendi”
Xhixho deklaroi se opozita do të hyjë në zgjedhje dhe do të fitojë bindshëm.