Opozita duhet ta kishte mbrojtur më mirë marrëveshjen për Teatrin Kombëtar edhe pse nuk mund të nxirrte ushtrinë, u shpreh Fatos Lubonja në një intervistë për News 24.
“Opozita për fat të keq është një opozitë që më së shumti pret të shpëtojë Shqipëria nga të huajt që të marrë mbështetjen e amerikanëve. Kur të lodhen me këtë sheikun që të sjellin një tjetër”, komentoi Lubonja.
Ai tha se shembja e teatrit është vdekja e sistemit të dejtësisë në vend. Ndërsa reforma zgjedhore, sipas Lubonjës është e pamjaftueshme për të bërë revolucionin që i duhet vendit:
“Ideja që mund të shkojmë në zgjedhje me një reformë cik më të mirë është ok, por të mendosh se mund të arrijmë rotacion me të, për mua është iluzion. Nuk është negative të ketë më shumë përfaqësim, por nuk e shikoj si mjetin kryesor që duhet të përdorë opozita për të bërë revolucionin e nevojshëm për të cilin ne kemi nevojë”.
Ndërsa propozimin e Ambasadores amerikane Kim për të ndryshuar sistemin zgjedhor sipas modelit danez, ai e quajti një “mundësi më e madhe që të lindë dicka që nuk është nën komandën e bandave dhe kryetarëve të partive por është shumë pak të kesh zgjedhje të lira dhe të pa nëpërkëmbura në Shqipëri”.
Ai u shpreh se mund të ekzistoj edhe një marrëveshje ndërmjet shumicës dhe pakicës “e tipit që ikim ne dhe pastaj vini ju”.