Lufta e UÇK-së e drejtë — Flet një anëtar i ekipit mbrojtës në rastet kundër Limajt dhe Haradinajt në Tribunalin e Hagës

Nga Exit News
Lufta e UÇK-së e drejtë — Flet një anëtar i ekipit mbrojtës në rastet kundër Limajt dhe Haradinajt në Tribunalin e Hagës

“Lufta e UÇK-së ka qenë një luftë e drejtë, për liri dhe pavarësi e popullit të Kosovës, dhe kjo është e pamohueshme. E pamohueshme, edhe nëqoftëse ndonjë individ ka kryer krime të izoluara gjatë luftës së viteve 1998-1999”.

Kështu u shpreh për emisionin “Me pak fjalë”, Gentian Zyberi, një ndër juristët që ka punuar me mbrojtjen në rastet kundër Limaj et al. dhe Haradinaj et al. para Tribunalit Penal për ish-Jugosllavinë nga viti 2004 deri në vitin 2012.

Më poshtë lexoni intervistën e plotë:

— Sa mund të garantojë gjykata speciale një proces të drejtë, të paanshëm dhe profesional në bazë të standardeve më të mira ndërkombëtare? 

Gentian Zyberi: Gjykata speciale (Dhomat e Specializuara) është bazuar në një ligj të posaçëm (Ligji Nr. 05/L -053), që është pjesë e legjislacionit të Kosovës, i cili është përgjithësisht në përputhje me standardet më të mira ndërkombëtare. Juridiksioni kohor i gjykatës speciale përfshin veprat penale në kuadër të juridiksionit lëndor të tyre të cilat janë kryer mes periudhës 1 janar 1998 dhe 31 dhjetor 2000. Sa i përket juridiksionit personal, Dhomat e Specializuara kanë juridiksion mbi persona fizikë, personat e nënshtetësisë Kosovare/IRJ apo mbi personat që kanë kryer krime në kuadër të juridiksionit të tyre lëndor kundër personave me nënshtetësi kosovare/IRJ kudo që janë kryer ato krime.

Kuadri ligjor i gjykatës speciale mund të garantojë një proces të drejtë, të paanshëm dhe profesional në bazë të standardeve më të mira ndërkombëtare.

Shumica e individëve që janë të lidhur apo që punojnë në këtë gjykatë, si gjyqtarë, si pjesëtarë të zyrës së prokurorisë, dhe një pjesë e atyre që janë në listën e avokatëve mbrojtës kanë eksperiencë të gjatë në fushën e të drejtës ndërkombëtare penale.  Pra, premisat janë që proceset ligjore para gjykatës speciale të respektojnë të drejtat e të akuzuarve dhe të viktimave sipas të drejtës së brendshme dhe asaj ndërkombëtare.

— Tribunali i Hagës pati juridiksion mbi krimet për të cilat po vepron sot gjykata speciale. Faktikisht, Tribunali hetoi në këtë drejtim dhe dënoi disa kosovarë. A është e drejtë që pasi Tribunali ka mbaruar mandatin të ngrihet një tjetër gjykatë e posaçme me të njëjtin objekt? 

Gentian Zyberi: Unë kam qenë i angazhuar si këshilltar ligjor dhe përkthyes me mbrojtjen nga viti 2004-2012 në dy raste që janë gjykuar para Tribunalit. Tribunali i Hagës ka gjykuar disa persona në lidhje me krimet në Kosovë, prej të cilëve gjashtë anëtarë të UÇK-së, përfshirë zotërinjtë Limaj dhe Haradinaj. Katër nga këta të gjashtë, përfshirë edhe zotërinjtë Limaj e Haradinaj u gjetën të pafajshëm nga Tribunali. Duhet përmendur këtu që Tribunali ka gjykuar dhe dënuar disa zyrtarë të lartë serbë për krimet e kryera në Kosovë. Është në dorën e vetë shteteve të zgjedhin se si do ta çojnë më tej punën e filluar nga Tribunali.

— A duhej vazhduar procesi që filloi Tribunali për të zbardhur krimet e kryera në Kosovë?

Gentian Zyberi: Përgjigja është po, pa dyshim, sepse ka akoma rreth 1600 të pagjetur, varreza masive në Serbi, dhe krime të kryera ndaj civilëve në Kosovë gjatë viteve 1998-1999, të cilat nuk janë zbardhur. Shteti i Kosovës dhe sistemi i drejtësisë duhet ta vazhdonte këtë punë dhe t’i jepte asaj prioritet, sidomos pas shpalljes së pavarësisë në vitin 2008. Fatkeqësisht, kjo nuk ka ndodhur në masën dhe me ritmin e duhur. Këtu dua të shtoj posaçërisht se puna e UNMIK-ut dhe EULEX-it në këtë drejtim, pra sa i përket hetimit dhe proceseve lidhur me krimet e luftës, kanë lënë mjaft për të dëshiruar.

— A duhej ngritur një gjykatë speciale për Kosovën?

Gentian Zyberi: Këtu ka pasur shumë diskutime dhe duhet thënë fillimisht se ka mënyra e modele të ndryshme mekanizmash gjyqësore për të bërë drejtësi. Mendoj se një gjykatë speciale në këtë formë krijon probleme për shtetin e imazhin e Kosovës, kur një gjykatë e ngjashme nuk është krijuar për shtetet e tjera të dala nga ish-Jugosllavia, ku janë kryer krime lufte, krime kundër njerëzimit, dhe gjenocid.

Kroacia dhe Serbia kanë zgjedhur të kenë procese ligjore të drejtuara nga organet e veta gjyqësore, pa përfshirjen e drejtpërdrejtë të stafit ndërkombëtar. Bosnja ka pasur një përfshirje të stafit ndërkombëtar në fillimet e proceseve, por jo në formën e një gjykate speciale si të Kosovës. 

Pra, krijimi i kësaj gjykate speciale është një lloj konfirmimi, të paktën implicit, se drejtësia në Kosovë nga autoritetet kosovare është e pamundur, se dëshmitarët kërcënohen, dhe se është e pamundur mbrojtja e tyre.

Njëjtë, konfirmohet në mënyrë implicite që Kosova nuk ka kapacitete që mund të kryejnë punën e gjyqtarëve dhe prokurorëve në këto çështje. Kjo është problematike në vetvete, sepse edhe po të jetë e vërtetë, ka pasur të paktën rreth 15 vjet kohë që kjo gjendje të ndryshohej, ndërkohë që Tribunali i Hagës ishte funksional.

— Gjykata Speciale është ngritur bazuar në ligjet e Kosovës edhe pse ajo do të operojë në Hagë dhe vepron mbi dhe përtej juridiksionit të drejtësisë së Kosovës. A është normal një rregullim i tillë ligjor, apo kemi të bëjmë me një artificë politike? Pra një institucion të ndërtuar nga shtysa politike e fuqive perëndimore që duan të shfaqen të paanshme dhe pa asnjë rezervë për të bërë drejtësi ndaj çdo krimi të çdo pale?

Gentian Zyberi:  Kuptohet, ka qenë shtysa politike e fuqive perëndimore që duan të shfaqen të paanshme dhe pa asnjë rezervë për të bërë drejtësi ndaj çdo krimi të çdo pale që ka çuar deri këtu. Por, ashtu si përcaktohet në nenin 3 të ligjit të saj themelues, gjykata speciale bazohet në ligjet e Kosovës dhe vepron brenda kësaj kornize ligjore. Kjo zgjidhje është pranuar nga parlamenti i Kosovës dhe aktorët kryesorë politikë në Kosovë.  Gjykata speciale është një përgjigje ndaj raportit të Dik Martit të janarit 2011, paraqitur para Këshillit të Europës. Ngritja e saj është bazuar në hetimet e Task Forcës të ndërmarra prej vitit 2011 deri në vitin 2014, të udhëhequra nga prokurori Klint Uilliamson. Dhe ajo vepron në përputhje me ligjin e formimit të gjykatës të gushtit 2015, miratuar nga parlamenti i Kosovës. 

— A ka ndonjë precedent të tillë në praktikën ndërkombëtare apo të vendeve të veçanta?

Gentian Zyberi:  Një gjykatë speciale si kjo e Kosovës, me këtë konfigurim, pra që vepron jashtë vendit dhe ku gjyqtarët dhe prokurorët janë tërësisht të huaj, nuk ka. Gjithsesi, ka precedentë të hetimit dhe gjykimit të krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit përmes gjykatave hibride, ku ka një përzierje të gjyqtarëve ndërkombëtarë dhe atyre vendorë, dhe prokurorëve ndërkombëtarë dhe atyre vendorë, si p.sh. dhomat speciale në gjykatat e Kamboxhias; apo gjykata të tjera të fokusuara në krime që kanë ndodhur në vende të ndryshme si gjykata speciale për Sierra Leonen, panelet e Dilit në Timorin Lindor etj. Tani ndoshta është vonë që të bëhen ndërhyrje në përbërjen e gjykatës speciale, por si një gjykatë e brendshme kjo gjë mbetet në dorën e legjislatorit.

— Le të lëmë mënjanë anën proceduriale dhe legjitimitetin e gjykatës, në mendimin tuaj, a mund të garantojë ajo drejtësi për të akuzuarit?

Gentian Zyberi:  Legjitimiteti i gjykatës speciale nuk mund të vihet në dyshim, sepse ajo është bazuar në ligjet e miratuara nga autoritetet shtetërore të Kosovës me mbështetjen ndërkombëtare. Gjykata speciale i ka mekanizmat e nevojshëm për të garantuar drejtësi për të akuzuarit. Por këtu normalisht duhet të shtoj që secili i akuzuar duhet të kujdeset që të ketë mbrojtjen e nevojshme ligjore dhe përkrahjen nga një ekip i mirë mbrojtës.

— Çfarë do t’i këshillonit ju, si jurist dhe ekspert i të drejtave të njeriut, të akuzuarve? Po politikanëve të Kosovës?

Gentian Zyberi:  Zotërinjve Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi mund t’u them që procesi ligjor do të jetë i gjatë dhe i vështirë. Ata, si ish-luftëtarë dhe drejtues të lartë shtetërorë, e kanë përvojën e pjekurinë e nevojshme për t’u përballur me çdo sfidë. Për mbrojtjen e tyre ata duhet të mbështeten në kapacitetet më të mira ndërkombëtare dhe vendore dhe më vjen mirë që ndërkohë shoh angazhimin e disa avokatëve shumë të mirë ndërkombëtarë. Këtu dua të shtoj edhe që gjithmonë duhen mbajtur parasysh dy parime të thjeshta që shpeshherë i harrojnë edhe njerëzit e ligjit. Secili është i pafajshëm derisa të dënohet me vendim të formës së prerë dhe që barrën e provës për vërtetimin e fajit e ka gjithmonë prokuroria.

Lufta e UÇK-së ka qenë një luftë e drejtë, për liri dhe pavarësi e popullit të Kosovës, dhe kjo është e pamohueshme. E pamohueshme, edhe në qoftë se ndonjë individ ka kryer krime të izoluara gjatë luftës së viteve 1998-1999.

Politikanëve të Kosovës u them që duhet të bashkëpunojnë ngushtë për të përballuar gjendjen në të cilën gjendet sot shoqëria dhe shteti i Kosovës. Ta gjejnë gjuhën e përbashkët për të kapërcyer çështjet lidhur me përballimin e pandemisë. Dhe sa i përket zhvillimeve të ardhshme politike, Kosova ka nevojë të dalë në zgjedhje në një moment të përshtatshëm gjatë vitit që vjen dhe qeveria e saj, para se të vazhdojë me procese të rëndësishme si dialogu me Serbinë dhe integrimi europian, ka nevojë të marrë edhe një herë mandatin popullor.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>