Këto ditë i gjithë shtypi i huaj, nga Franca deri në Kinez, po shkruan për atleten shqiptare Luiza Gega, e cila fitoi para pak ditësh medaljen e argjendit në garën e 3000 metrave më pengesa, në Kampionatin Evropian të Atletikës që u zhvillua në Amsterdam.
Atletja 27 vjeçare u kualifikua kështu për të garuar në Lojërat Olimpike që do të zhvillohen në Brazil, muajin e ardhshëm.
Suksesi i Luizës u vlerësua nga media botërore dhe për një arsye tjetër: Luiza Gega nuk ka asnjë pistë vrapimi ku të stërvitet në Tiranë, qytetin e saj.
Vendimi i qeverisë Rama dhe Bashkisë Tiranë për prishjen e stadiumit “Qemal Stafa” ka bërë që Tiranë të jetë i vetmi kryeqytet në botë pa një pistë të vetme atletike, duke privuar ndër të tjera pesë atletët shqiptarë të kualifikuar në Lojërat Olimpike për t’u stërvitur në kushte teknike të pranueshme.
Ajo që i u ka bërë përshtypje të gjithë komentuese të vhuaj është se Shqipëria, një vend i varfër, vendosi të shembë të vetmen pistë atletike të kryeqytetit për të ndërtuar një stadium të ri vetëm për futbollin.
Luiza dhe trajneri i saj Taulant Stërmasi u detyruan të zhvendosen nga Tirana në Korçë, ku ka një pistë atletike, në mënyrë që atletja të stërvitej qoftë edhe në kushte minimale. Por edhe për këtë trajnerit iu desh të rregullonte vetë gropat e mbushura me ujë në mes të pistës së Korçës.
Në disa raste, Luiza është e detyruar të stërvitet në Tiranë në Parkun e Liqenit, në mes të qindra qytetarëve që vrapojnë në nje shteg të ngushtë vrapimi.
Atletja dhe trajneri i saj, në disa intervista në mediat e vendit, kanë ngritur dhe një shqetësim tjetër: Luiza Gega, sportiste profesioniste për më shumë se 15 vjet, nuk i paguhen sigurimet e saj shoqërore dhe shëndetësore.
Trajneri ka deklaruar se Luiza, me një trajnim cilësor që nuk është i mundur në Shqipëri, mund të fitojë të parën medalje olimpike për Shqipërinë, në Brazil. Por, buxheti i qeverisë për sportin e atletikës është i papërfillshëm, edhe pse do të mjaftonin disa mijëra euro që Luiza të stërvitej diku në Evropë.
Shpërfillja totale e shtetit ndaj nënkampiones së Evropës dhe pretendentes për të fituar medalje ari në Brazil, bëhet akoma më ironike po të kujtojmë se qeveria i dhuroi një milion euro lojtarëve të kombëtares së futbollit — të gjithë profesionistë të mirë paguar nga skuadrat evropiane ku luajnë — vetëm për një gol të shënuar kundër Rumanisë me anë të të cilit siguruan vetëm vendin e 18 mes 24 ekipeve konkuruese.
Ndërkohë, në stadiumin e ri të Kryeministrit Rama, vendin ku ishin pistat e atletikës do ta zërë një pallat-kullë, në pronësi private, me apartamente dhe zyra biznesi, nga shitja e të cilave Kryeministri Rama dhe klientët e tij do të fitojnë miliona euro.