Filmi “Azizi” bazuar në rrëfimet e të mbijetuarve në kampet e internimit të regjimit enverist, u shfaq dje për herë të parë në Kinema Millenium.
Producentja dhe skenaristja e filmit, gazetarja Luljeta Progni tregon se filmi është historia e vërtetë e Aziz Ndreut, një i mbijetur që kaloi të gjithë jetën në kampet e Kuçovës, Beratit, Turanit dhe Tepelenës:
“Në pranverën e vitit 1948, Azizi 14 vjeçar, bashkë me nënën dhe motrat dëbohen drejt kampeve të internimit.
Regjimi komunist shpërnguli me dhunë nga shtëpitë e tyre mijëra familje, kryesisht fëmijë, gra e të moshuar, shumë prej të cilëve nuk u kthyen kurrë në vendlindje. Një pre tyre është Azizi, personazhi kryesor i filmit, i cili rrëfen ngjarjet në kampet e Kuçovës, Beratit, Turanit dhe Tepelenës.
Azizi përjeton vdekjen e qindra fëmijëve prej urisë dhe sëmundjeve, humbjen e nënës dhe ngjarje që ndodhin çdo ditë mes të internuarve në kushtet e mbijetesës.
Në kampin e Tepelenës, pas një aksidenti gjatë punës për transportin e druve në mal, Azizi shtrohet në infermieri për t’u kuruar dhe më pas emërohet ndihmësinfermier. Përparësja e bardhë i jep mundësinë që të jetë më pranë vuatjeve të të internuarve, duke i ndihmuar me sa mundet.Pas mbylljes së kampit, Azizi i mbetur vetëm, lë përparësen e bardhë dhe vazhdon internimin larg vendlindjes edhe për 37 vite të tjera deri në rrëzimin e regjimit komunist. Filmi përfundon me lindjen e djalit të parë të Azizit në barakë, në internim, shpresë që Azizi vetë gjatë një intervistë e quan të humbur.”
Gjatë 90 minutave, historia tregohet pa ndryshuar asnjë emër, kronologji, apo episod. Personazhet në film janë me emrat e tyre të vërtetë, ngjarjet që zhvillohen dhe dialogu mes personazheve është gjithashtu ai i dokumentuar në kujtesën e tyre. dhe skenografia e mbështetur mbi artefaktet e kohës.
Filmi, që është xhiruar në artefaktet e mbetura prej kampeve, vjen si një kontribut modest për kujtesën dhe për jetën e mijëra shqiptarëve që humbën në kampet e internimit të diktaturës komuniste.
Filmi “Azizi” u mbështet nga Fondacioni Konrad Adenauer në Tiranë dhe kontribut të vyer dhanë qytetarë të thjeshtë të Shkodrës e Beratit që i dhanë jetë personazhit të Azizit dhe viktimave të tjera të kampeve të internimit.