Presidenti francez Emmanuel Macron ka shprehur shqetësimin e tij për luftimet që po zhvillohen në Izrael dhe Rripin e Gazës.
Në një deklaratë, zyra e Macron tha se përparësia e presidentit është “kthimi i qetësisë dhe paqes”
“I shqetësuar nga përshkallëzimi i dhunës në Lindjen e Mesme, Presidenti i Republikës është i vendosur të punojë me të gjitha palët për t’i dhënë fund asaj sa më shpejt të jetë e mundur”, thuhet në deklaratë.
Macron bisedoi të enjten në telefon me udhëheqësin palestinez Mahmoud Abbas dhe planifikoi të bëjë të njëjtën gjë me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, thuhet në deklaratë.
Macron bëri thirrje gjithashtu për një “rinisje vendimtare” të negociatave midis Izraelit dhe palestinezëve për të arritur “një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”.
Që nga e hëna, ushtria izraelite ka kryer qindra sulme ajrore në Gaza dhe grupet militante palestineze kanë qëlluar me breshëri raketash të shumta në qytetet izraelite.
Të paktën 67 njerëz u vranë në Gaza, përfshirë 16 fëmijë, sipas ministrisë së shëndetësisë. Shtatë persona u vranë në Izrael, thanë zyrtarët mjekësorë, duke përfshirë një djalë pesë vjeçar të vrarë të mërkurën në qytetin kufitar të Sderot.