Rritet koha e lëvizjes së njerëzve në 2 orë e gjysëm

Nga Exit News
Rritet koha e lëvizjes së njerëzve në 2 orë e gjysëm

Nga data 27 prill e deri më 11 maj, leja e lëvizjes do të bëhet nga 1 orë e gjysmë në 2 orë e gjysmë dhe do të hapen kategori të tjera biznesesh.

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu njoftoi të mërkurën se Komiteti Teknik i Ekspertëve ka vlerësuar të lehtësojë masat për të paktën 2 javët e ardhshme, me garancinë që nëse do të jetë e nevojshme ato të rikthehen sërish.

Në një konferencë për shtyp, Manastirliu paralajmëroi bizneset se do të penalizohen nëse nuk zbatojnë protokollet e sigurisë sanitare në punë.

Hapja graduale do të varet nga 3 tregues:

  • rastet ditore të konfirmuara;
  • numri i qytetarëve të shtruar në spital
  • rastet në terapinë intensive;

Prej javës tjetër do të lejohet aktiviteti i dyqaneve të veshjeve, këpucëve, mobiljeve, ndriçimit, pajisjeve elektronike, luleve etj.

Do të lejohet transporti taksi nga qyteti në qytet me vetëm një person pasagjer, sipas masave të përcaktuara në protokollin specifik për udhëtimin me taksi.

Autoritetet shëndetësore shprehen se që prej 9 marsit, kur u diagnostikua i infektuari i parë me Covid-19, në Shqipëri janë konstatuar më shumë se 100 vendndodhje burim të infeksionit.

Ministrja Manastirliu u shpreh të mërkurën se virusi mbetet aktiv, por shifrat e rasteve të reja dhe shtrimet në spitale mbeten me prirje të qëndrueshme.

Të mërkurën autoritetet raportuan 25 të infektuar të tjerë dhe 1 viktimë duke e çuar bilancin e epidemisë në 634 persona të infektuar, prej të cilëve 356 janë shëruar dhe 27 kanë vdekur.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>