Pas përfundimit të takimit me mjekët, ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu njoftoi se qeveria do të punojë për realizimin e kërkesave të tyre, për rritje pagash dhe kushte më të mira pune.
Në një deklaratë për gazetarët, Manastirliu tha se komunikimi i qeverisë me mjekëve do të vazhdojë përmes sindikatës së mjekëve:
‘Takimet do të fillojnë që prej javës që vjen. Ministria e Shëndetësisë është shtëpia e tyre, aty do të zhvillohen të gjitha takimet.’
Ajo premtoi se qeveria do të dëgjojë kërkesat e tyre.
Një prej mjekëve i pranishëm në takimin me Ramën e Manastirliun, Gentian Stroni njoftoi të njëjtë gjë:
‘Për t’u vlerësuar fakti që nga pala qeveritare u panë të drejtat për kërkesat, tani do të punojmë për realizimin në detaje. Do kemi grupet e punës që janë nga sindikata jonë dhe qeveria për të arritur në përfundimet që do të donim të ishin.’
Ndërkohë, pak orë më parë, mjekë dhe infermierë protestuan në heshtje përpara Urgjencës së QSUT-së. Ata thanë se mjekët dhe përfaqësuesit që kanë shkuar sot në takim me kryeministrin Rama dhe ministren Manastirliu, nuk janë përfaqësues të sindikatës së mjekëve, por të përzgjedhur të Ramës.
Katër kërkesat e mjekëve për qeverinë janë:
– Të shpallen dëshmorë të kombit të gjithë ata pjesëtarë të personelit shëndetësor të cilët humbin jetën në luftë me koronavirusin.
– Të bëhet sigurimi i jetës së personelit shëndetësor, me qëllim që familjet e tyre të mund të vazhdojnë jetën dhe pas fatkeqësive të mundshme në këtë luftë.
– Rritje e vlerësueshme e trajtimit financiar të personelit shëndetësor.
– Personelit shëndetësor të çdo niveli t’i sigurohen të gjitha kushtet në punë për parandalimin e infeksionit sipas të gjithave standarteve kombëtare dhe ndërkombëtare.