Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu deklaroi se për festa do të jenë në gadishmëri 100 ekipe.
Gjatë vizitës në Urgjencën Kombëtare, Manastirliu u shpreh se në Tiranë do të ketë 9 ekipe të cilët do të vendosen në postacione të caktuara dhe dy ekipe shtesë të urgjencës kombëtare.
“Ekipet shëndetësore në gjithë sistemin tonë, qoftë ato të Urgjencës Kombëtare, qoftë të spitaleve tona që nga ato universitare deri tek rajonalet, bashkiaket do të jenë me ekipe të përforcuara për të përballuar çdo emergjencës që mund të kemi. Do të kemi në sistemin e Urgjencës Kombëtare 100 ekipe, të cilat janë të shpërndara në terren në postacione për të mbuluar çdo emergjencë në kohë dhe me cilësi.
Për kryeqytetin do të kemi 9 ekipe të urgjencës, të cilët do të vendosen në postacione të caktuara dhe dy ekipe shtesë të urgjencës kombëtare si edhe janë siguruar materialet mjekësore, barnat e nevojshme për të përballuar çdo situatë emergjence, qoftë në kuadër të emergjencave, aksidenteve apo problematikave që mund të sjellin festimet e fundvitit”
Manastirliu tha se do të ofrojnë shërbimin on call, pra mjekët do të jenë të gatshëm, nëpërmjet sistemit të thirrjeve për çdo emergjencë që mund të ketë në spitale.
Ajo tha se këto masa do të jenë nga 31 dhjetori deri me 5 janar.