
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi sot kthimin e kërkesës për heqjen e mandatit të deputetit Gledion Rehovica në prokurori dhe kërkoi nga kjo e fundit më tepër të dhëna.
Kërkesa për kthimin e materialeve në prokurori për deputetin e LSI ishte propozim i anëtarit Gëzim Veleshnja dhe u votua me 4 vota pro e dy kundër.
Gjatë deklaratës në KQZ, deputeti Rehovica që akuzohet nga prokuroria për fshehje të së shkuarës në formularin e vetëdeklarimit, tha se ai ka qenë në Itali përpara 20 vitesh, ndaj nuk mban mend detaje:
“Po bëhen gati 20 vjet dhe nuk e kujtoj me detaje. Nuk kam pasur në asnjë moment ndalim, hetim, gjykim apo cfarëdolloj mase tjetër në Itali.”
Pyetur për përdorimin e emrin të rremë Kusta Mina, deputeti i LSI përdori të njëjtin argument:
“Kanë kaluar 20 vjet. Nuk ka fshehur asgjë, nuk ka pasur pse të fshehë asgjë. Fakti i dhënies me vullnet i gjurmëve të gishtërinjve eshte tregues. Këto fakte pengojnë cdo arsyetim që mund të fshinte identitete të rreme.”
Më 26 dhjetor 2017, Prokuroria i kërkoi Komisionit Qendror të Zgjedhjeve heqjen e mandatit të dy deputetëve, Aqif Rakipit të PDIU dhe Gledion Rehovica të LSI, në bazë të ligjit të dekriminalizimit.
Në mbledhjen e sotme të KQZ-së pritet të merret vendimi dhe për deputetin Rakipi.