Partia maqedonase VMRO-DPMNE e ish-kryeministrit Nikola Gruevski ka refuzuar publikisht platformën e hartuar në Tiranë, në janar 2017, nga partitë shqiptare të Maqedonisë.
Me anë të një deklarate për shtyp, VMRO-DPMNE, forca që fitoi zgjedhjet e dhjetorit me 51 vende në parlament, shprehet:
“Në zgjedhjet e kaluara qytetarët votuan për VMRO-DPMNE-në e jo për platformën e Tiranës. Është e palejueshme që platform e Tiranës të bëhet kusht për formimin e Qeverisë në Republikën e Maqedonisë. Ajo qeveri do të ishte Qeveri e Tiranës.”
Prej disa ditësh, ka debat mes liderëve shqiptarë e maqedonas për formimin e qeverisë në Maqedoni.
Presidenti Ivanov refuzoi t’i jepte të drejtën e formimit të qeverisë partisë së Zoran Zaev, LSDM, e cila së bashku me partitë shqiptare kishte grumbulluar 67 mandate në parlament. Shkak për këtë refuzim duket se është bërë marrëveshja e Tiranës, e dirigjuar nga Kryeministri Rama dhe e nënshkruar nga liderët e partive shqipatare në Maqedoni.