Ligji për gjuhën shqipe në Maqedoni do të rikthehet për diskutim në kuvend pas refuzimit nga Presidenti George Ivanov.
Ligji për përdorimin e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare u miratua nga kuvendi më 11 janar, por presidenti Ivanov ka bërë vërejtje për 19 nga 25 nenet e këtij ligji.
Debate për ndryshimet e neneve do të vazhdojë deri në fund të kësaj jave, e më pas të hënën do të votohet në seancën e Kuvendit.
Deputetët kanë të drejtë të propozojnë ndryshime vetëm për nenet e ankimuara nga presidenti.
Ligji i gjuhës shqipe u miratua me 69 vota pro nga shumica qeverisësë në Maqedoni, ndërsa opozita, deputetët e VMRO-DPMNE braktisën sallën e kuvendit. Partia e ish-kryeministrit Gruevski e ka kundërshtuar ligjin duke argumentuar që përdorimi i gjuhës shqipe do të sjellë probleme ndëretnike.
Miratimi i ligjit të gjuhës ishte pjesë e marrëveshjes mes partive në koalicionin qeverisës LSDM dhe BDI.
Ligji, që tashmë pritet të ndryshohet, përmban 25 nene ku parashikohet përdorimi i gjuhës shqipe, përveç asaj maqedonase, në të gjitha organet e pushtetit qendror, institucionet qendrore, ndërmarrjet publike, agjencitë, drejtoritë, organizata, komisione e të tjerë.
Kryeministri Rama e quajti një fitore të tijën miratimin e ligjit dhe tha se pa PS-në në pushtet, kjo fitore nuk do të ishte arritur asnjëherë.