Parlamenti maqedonas ka votuar, pas një muaji debatësh e shtyrjesh, shkarkimin e kryeprokurorit Marko Zvrlevski, i njohur si një prej njerëzve më të afërt të ish-kryeministrit Nikola Gruevski.
Në parlamentin 120 vendesh, ku tashmë partia e Gruevskit është në opozitë, 64 deputetë votuan pro shkarkimit të kryeprokurorit.
Që prej formimit të qeverisë së re nga LSDM, kryeministri Zoran Zaev e kishte paralajmëruar shkarkimin e Zvrlevskit. Ky i fundit akuzohet se gjatë detyrës favorizonte dukshëm ish-kryeministrin Gruesvki, partinë VMRO DPMNE dhe zyrtarë të qeverisë së kaluar.
Ndaj kryeprokurorit ka akuza dhe për ndërhyrje në favor të Gruevskit në skandalet e korrupsionit që çuan në rrëzimin e qeverisë së Gruesvkit dhe shkaktuan krizën politike në Maqedoni.
Në ditët në vazhdim pritet të dalin emrat e parë zyrtarë që mund të emërohen në postin e Kryeprokurorit të Përgjithshëm.