Pak ditë më parë, Presidenti Meta ktheu mbrapsht kërkesën e Ministrit të Jashtëm Bushati për dhënien e plotfuqishmërinë për negociatat me Greqinë dhe kërkoi plotësimin e dokumenteve të munguara.
Në letrën e përgjigjes, e cila është bërë publike sot, Presidenti thekson dy shkelje ku bazohet vendimi i tij: 1) kërkesa e ministrisë është e paqartë, nuk përmban elementët konkretë për të cilët grupi negociator do të negociojë, dhe 2) kryenegociatori dhe grupi negociator nuk janë përcaktuar me emra.
1. Paqartësia e kërkesës dhe mungesa e relacioneve shoqëruese
Në përgjigje e Presidentit shkruhet:
“Kërkesa nuk përkufizon qartë objektin e negociatave për të cilin kërkohet Autorizim për Plotfuqi.
Vetëm duke përcaktuar objektin e saktë të negociimit, grupi negociator legjitimohet për të zhvilluar diskutime brenda objektit të tij.”
Më tej Presidenti argumenton se kërkesa e Ministrisë së Jashtme “nuk përmban asnjë dokument shoqërues apo shpjegues.”
Ligji 43/2016 “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, në nenin 6, parashikon qartësisht se autoriteti kompetent për lëshimin e plotfuqisë kur marrëveshja ndërkombëtare që negociohet dhe/ose nënshkruhet është në emër të Republikës së Shqipërisë, është Ministri i Punëve të Jashtme, por pas autorizimit të dhënë nga Presidenti i Republikës.
Pika c e po të njëjtit nen parashikon se për marrjen e autorizimit nga Presidenti i Republikës, Ministria e Punëve të Jashtme duhet t’i drejtohet presidencës me “tekstin e projektmarrëveshjes dhe një relacion shpjegues”.
Ministria e Punëve të Jashtme nuk e ka plotësuar këtë kusht duke dërguar në presidencë kërkesën pa e shoqëruar me tekstin e projekt-marrëveshjes dhe me relacionin shoqërues.
2. Mospërcaktimi i kryenegociatorit dhe grupit negociator
Ministria e Jashtme në kërkesën për autorizim nuk ka përcaktuar emrin e personit që do të udhëheqë grupin negociator. Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2010, i cili rrëzoi marrëveshjen e firmosur ndërmjet qeverisë shqiptare dhe greke në vitin 2009, parashikohet se:
“Kërkesa për pajisjen me autorizim, duhet të shoqërohet detyrimisht me listën nominale të emrave konkret të grupit negociator, shoqëruar me CV përkatëse, që do të krijonte mundësinë e vlerësimit të përmbushjes së kritereve të integritetit moral dhe profesional që krijojnë besimin tek Presidenti i Republikës, për t’i dhënë besimin që ta përfaqësojnë atë në këto negociata“.
Për këto shkelje ligjore, Presidenti Meta ka kërkuar nga Ministria e Punëve të Jashtme informacion dhe dokumente shtesë për të plotësuar mangësitë.