Dje, Presidenti Meta ktheu sërish mbrapsht kërkesën e Ministrit të Jashtëm Bushati për dhënien e plotfuqishmërinë për negociatat me Greqinë dhe kërkoi informacion shtesë.
Më saktësisht bëhet fjalë për informacione lidhur strategjinë që Ministria e Jashtme shqiptare do të ndjekë në negociata dhe pikat e diskutuara në takimet dypalëshe mes Ministrit Bushati dhe Ministrit grek Kotzias, të zhvilluara në Kretë dhe Korçë.
Në një intervistë për gazetaren Eni Vasili, dje në mbrëmje Presidenti Meta sqaroi se pasja e informacioneve dhe dokumenteve është e detyrueshme dhe rrjedh si pasojë e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të 2010-ës.
“Nuk ka pasur në asnjë rast refuzim për dhënien e autorizimit, por gjithmonë ka pasur dhe do të ketë deri në pikën e plotë dhe përfundimtare, sipas të gjitha standardeve që përcakton vendimi i Gjykatës Kushtetuese, një procedurë e cila duhet të jetë nga ana kushtetuese sa më e saktë.”
Ndër të tjera Presidenti Meta deklaroi:
– I kam bërë të qartë ministrit se për çështjen e negociatave me Greqinë, unë do t’i jap prioritet komunikimit zyrtar. Nuk ka rëndësi nëse jam takuar disa minuta me ministrin Bushati. Fakti është se përveç disa detajeve, nuk ka asnjë informacion zyrtar për negociatat me Greqinë.
– Unë do përmbush të gjitha detyrimet kushtetuese. Pra që të jetë sa më e blinduar nga ana kushtetuese dhe pikat e saj janë të detyrueshme.
– Për këtë çështje ky vendim i Gjykatës Kushtetuese është vetë kushtetutë. Pra në hierarkinë ligjore prevalon mbi çdo ligj dhe çdo akt tjetër. Që do të thotë se do të mjaftonte qoftë edhe një gabim formal i mosrespektimit të detyrimeve kushtetuese që Gjykata Kushtetuese ta shpallte marrëveshjen e re antikushtetuese.
– Presidenti do të bëjë gjithçka për të përmbushur të gjitha detyrimet e tij kushtetuese dhe institucionale për mbarëvajtjen e kësaj marrëveshjeje që synohet dhe natyrisht edhe të marrëdhënieve me Greqinë.