Shtatë policë janë plagosur dhe 25 protestues janë arrestuar gjatë protestës së djeshme në Shkup të Maqedonisë, pas firmosjes së marrëveshjes me Greqinë për emrin.
Policia ka hedhur gaz lotsjellës kundër protestuesve që po protestonin përpara Kuvendin maqedonas. Duke e quajtur marrëveshjen me Greqinë si “tradhëti” protestuesit tentuan të hynin brenda Kuvendin, por u ndaluan me dhunë nga kordoni i policisë i vendosur rreth Kuvendit.
Protesta e qytetarëve maqedonas erdhi pas nënshkrimit të marrëveshjes mes Greqisë dhe Maqedonisë që i jep kësaj të fundit emrin “Republika e Maqedonisë së Veriut”. Marrëveshja u nënshkrua në Prespë nga dy ministriat e Jashtëm Kocias dhe Dimitrov, në praninë e zyrtarëve të lartë të BE-së Federica Mogherini dhe Johannes Hahn.
Megjithëse marrëveshja i jep fund një konflikti 27 vjeçar mes dy vendeve fqinjë, opozita e të dy shteteve e ka kundërshtuar atë dhe ka deklaruar se nuk do ta votojë në parlament. Presidenti maqedonas Ivanon po ashtu ka deklaruar se marrëveshja nuk është fitore për Maqedoninë, ndaj nuk do ta firmosë.
Ditët në vazhdim do të jenë vendimtare për miratimin e marrëveshjes mes Greqisë e Maqedonisë.