Qeveria Rama ka vendosur t’i japë 12 milje nga zona ujore shqiptare shtetit grek. Të dhëna apo informacione lidhur me arritjen e marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Greqisë mbahen ende të fshehta.
Lajmin e ka bërë publik sot Ministri grek i Punëve të Jashtme Nikos Kotzias gjatë një interviste për televizionin shtetëror grek ERT.
“Shqipëria ka pranuar të zgjerojë zonën ujore greke me 12 milje detare nga bregu, maksimumi që lejohet nga Konventa e OKB-së për Ligjin e Detit”, mësohet të ketë thënë ministri grek.
Më tej, Nikos Kotzias deklaroi se shpreson që kjo marrëveshje të nënshkruhet deri në muajin prill, kur dhe kryeministri grek Aleksis Tsipras do të vizitojë Shqipërinë.
Ministri shqiptar i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati, dje, mohoi në mënyrë kategorike se mes Shqipërisë dhe Greqisë është arritur një marrëveshje për detin:
“Dua të siguroj opinionin publik që çdo marrëveshje e ardhshme [për detin] do të mbajë parasysh jo vetëm parimet e të drejtës ndërkombëtare, por mbi të gjitha vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese.”
Pyetur lidhur me lajmet që kanë qarkulluar në media se mes dy shteteve po diskutohet për ndryshimin e koordinatave, Ministri Bushati tha: “Nuk është e vërtetë!”
Deri më tani nuk ka pasur asnjë reagim zyrtar as nga Ministri Bushati dhe as nga Kryeministri Rama nëse deklaratat e Nikos Kotzias janë të vërteta apo jo.